23-11-2024

Ymeri godet VV’në: Të jesh kundër minishengenit e pro recprocitetit është kontradiktë logjike

Sipas ish-kryetarit të LVV’së, pas refuzimit të minishengenit ballkanik, fshihet frika. Ai thotë se nuk mund të jesh për reciprocitet, e ta kundërshtosh minishengenin, sepse, siç thotë ai, me këtë marrëveshje në vendeve të Ballkanit, arrihet ajo që Kosova synon ta arrinte përmes reciprocitetit ndaj Serbisë.

“Mini-shengeni është i papranueshëm sepse prapa tij fshihet hegjemonia ekonomike e politike e Serbisë. Pra, prapa kundërshtimit fshihet frika. Dhe kështu e kemi rastin e radhës të diskutimit të ideve politike nga pozicioni i frikës, jo i arsyes, jo i shpresës. Sikur që e diskutojmë gati se çdo gjë tjetër. Me frikë dhe nën frikë”, thuhet në një opinion të Visar Ymerit, të publikuar në Sbunker.

Lëvizja Vetëvendosje e kundërshton minishengenin ballkanik, për të cilin Kosova është zotuar se do ta përkrahë, në marrëveshjen e Uashingtonit.

Ish-kryetari i LVV’së, Visar Ymeri, ka dhënë një këndvështrim lidhur me çështjen e minishengenit.

Lexo edhe:

Komuna e Prizrenit del keq sa i përket Perfomancës (Dokument)

 

Ymeri thotë se nuk mund të jesh pro reciprocitetit, e të jesh kundër minishengenit. Sepse, sipas Ymerit, me marrëveshje si minishengeni largohen barrierat, të cilat synon t’i largojë reciprocitet.

“Çfarëdo pengese që na bën Serbia në rrafshin tregtar të njëjtën duhet t’ia bëjmë edhe ne. Reciprociteti në këtë drejtim është barazi në trajtim (më shumë se sa barazi në rezultat). Dhe kjo masë ka për qëllim eliminimin e barrierave jo-tarifore më shumë se sa përjetësimin e tyre në të dyja anët e kufirit. Reciprociteti është masë në kuadër të parimit të tregtisë së lirë, sepse e mëton ta arrijë pikërisht atë në formën e saj të kulluar (pra që të dyja palët t’i zhdukin të gjitha barrierat). Duke qenë kështu të jesh për reciprocitet e kundër mini-shengenit është kontradiktë logjike. Sepse mini-shengeni si marrëveshje multilaterale që bazohet në etablimin e plotë të katër lirive (të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve) e arrinë pikërisht atë për të cilën lufton Reciprociteti – pra i heq barrierat nga të gjitha anët e të gjithë kufijve”

Ai thotë se për minishengen, Kosova duhet të jetë e barabartë me shtetet e tjera dhe duhet të angazhohet për këtë.

“Natyrisht problemi mbetet politik. Dhe ky është thelbi i këtij diskutimi. Prandaj gjëja e parë që duhet të sigurohemi është që integrimin në mini-shengen ta bëjmë si shtet i barabartë me të tjerët. Mundësi tjetër nuk duhet të ketë. E dyta pastaj është që në negociimin e marrëveshjes si palë e barabartë duhet të kemi bashkëpunim të ngushtë me Tiranën në mënyrë që t’i avansojmë interesit tona të përbashkëta karshi tregut të përbashkuar rajonal. Në këtë pikë veçanërisht, Prishtina e Tirana duhet të jenë NJË që ta shmangin secilën tendencë e secilin insistim të Serbisë të krijojë pozitë hegjemoni në ekonominë e politikën e rajonit”. /Express/

Asnjë koment

Comments are closed.