16-05-2022

Zbulohet se për Thaçin kanë ofruar garanci për lirim më shumë se një shtet

Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, që kryesohet nga avokati amerikan Gregory Kehoe ka thënë se klientit të tij i është ofruar garanci për lirim nga më shumë se një shtet, raporton Gazeta Express.

Kehoe në shkresën e tij drejtuar Gjykatësit të Procedurës Paraprake ka thënë se dy shtete anëtare të NATO-s janë garantuese dhe ka kërkuar që Thaçit t’i mundësohet lirimi në njërën nga këto shtete.

“Më 30 qershor 2021, pas sigurimit të garancive nga dy shtete anëtare të NATO-s, njëra prej të cilave është shtet kontribuues i Dhomave të Specializuara të Kosovës, dhe në përputhje me mendimin e përbashkët të gjyqtarit Ambos, Mbrojtja kërkoi lirimin e z. Thaçi në vendet e treta të lartpërmendura. Me qëllim të vlerësimit të realizueshmërisë së garancive të dorëzuara, Mbrojtja i kërkoi Gjyqtarit të Procedurës Paraprake që të kërkojë pikëpamjet e vendeve të treta të lartpërmendura në lidhje me lirimin e përkohshëm të z. Thaçi, ose në mënyrë alternative, të urdhërojë lirimin e përkohshëm të z. Thaçi në njërën prej këtyre dy vendeve të treta”, thuhet në dokumentin e Mbrojtjes së Thaçit dërguar Gjykatësit të Procedurës Paraprake.

Kehoe ka thënë se nuk ka rrezik që klienti i tij të ikë apo që të bëjë përpjekje për të penguar procedurat e Gjykatës, dhe gjithashtu thekson se s’ka ndonjë rrezik që Hashim Thaçi “të kryejë ndonjë vepër tjetër penale”./GE

Asnjë koment

Comments are closed.