19-04-2024

Zgjedhjet personale dhe komentuesit mendjebosh

Shkruan: Batjar Halili (psikolog)

Duke qenë se tashmë jam pjesë e një partie politike, po më nxitë ideja të bëj ndonjë status në faqen time në ‘facebook’, ku ka shumë reagime dhe shumë mirë që ka reagime sepse të menduarit ndryshe dhe të pranuarit e atyre që mendojnë ndryshe nga unë dhe anasjelltas përbën në vetvete element edukimi qytetar dhe dalëngadalë në këtë mënyrë dëshmojmë edhe ngritjen e nivelit të shqetësimit intelektual. Pavarësisht kush ka të drejtë shqetësimi intelektual është i shëndetshëm për shoqërinë.

Por, ku qëndron problem!? Problemi qëndron kur disa fillojnë të komentojnë sa për të rënë në sy sepse kanë inferioritet për atë që janë, dhe ketë inferioritet e tregojnë me paraqitjet e tyre, duke hapur profile të rreme ose edhe duke ofenduar në mënyra të ndryshme a thua sikur kuptojnë diçka nga politika apo rrethanat në përgjithësi.

Mua më kujtohet një profesor i imi që thoshte: ”…disa persona bien në sy  me intelektualitetin e tyre, disa bien në sy me bukurinë e tyre, disa me sportivitetin e tyre, disa me pasioin e tyre, por disa që nuk kanë me çka bien në sy e vetmja mënyrë është budallallëku i tyre, të cilët i vë në qendër të vëmendjes për të dalë nga kjo katrahurë e tyre mendore e që nuk e duron as ata vetë. Ata janë të përdorshmit e partive politike që nuk ua ka parë hajrin as familja, as shoqëria dhe më së paku janë përfitues. Me emocionalitetin e tyre të mbushur me energji negative humbin toruan dhe fillojnë të shajnë të ofendojnë etj. Është një teori në psikologji që thotë: Kur rriten emocionet, bien proceset mendore dhe humb aftësia për të gjykuar d.m.th personi shumë emocional humb arsyen dhe di të bëjë më të keqen e mundur.

Një herë po lexoja një status të Prof. Dr. Eqrem Kryeziut dhe ai në statuset e tij është shumë brilant sepse gjërat i thotë me një gjuhë të pasur me metafora dhe shumë nënkuptime simbolike dhe është shumë problem që ta kuptojnë ata që nuk e kanë nivelin e të lexuarit të mjaftueshëm letrar dhe shkencor.

Njëri me komentin e tij në këtë status i kishte thurur lavde. Profesor ke të drejtë, të lumtë, profesor je i nderuar etj, etj, dhe ajo që më beri përshtypje ishte përgjigja e tij: “…I nderuar komentues të lutem mos më komento sepse e di që nuk më ke kuptuar pavarësisht respektit që ke për mua.”  Për këtë status edhe unë isha i bindur që nuk e kishte kuptuar.

Ju lutem nëse pak logjikë dhe moral keni ju komentues të kësaj natyre, ju sugjeroj të shkoni në qendrën e votimit kryeni obligimin qytetar, punoni me veten tuaj, shkollohuni dhe ngrituni profesionalisht, nëse u ka kaluar koha mendoni për nipërit e mbesat tuaja, rregulloni veten emocionalisht dhe reagoni si qytetarë mos iu bini në qafë atyre që janë intelektual duke kërkuar që t’i lëshoni në nivelin e vetes. Është një shprehje që thotë: “çdo gjë është një gjë, por të jesh i paditur je një asgjë”.

( Autori është profesor i Psikologjisë në gjimnazin “Gjon Buzuku” të Prizrenit )

P.S.
Shkrimet e opinioneve janë shprehje e mendimit të lirë, dhe jo domosdoshmërisht përfaqësojnë edhe qëndrimin e portalit “GazetaePrizrenit.net”.

Asnjë koment

Comments are closed.