06-05-2024

Ndahet nga jeta mbretëresha e valles shqiptare, Liljana Cingu

Ndahet nga jeta në moshën 74 vjeçare mbretëresha e valles shqiptare, Liljana Cingu. Homazhet do të mbahen paraditen e së martës në hollin kryesor të TKOB-së. Valltarja e njohur e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore është nderuar me urdhrin “Mjeshtër i madh” për kontributin e dhënë.

Në një reagim në Facebook, drejtoresha e TKOB-së, Abigeila Voshtina, shkruan:

“E trishtë ndarja nga jeta e “Mbretëreshës së valles shqiptare”, Lili Cingu. Për vite me radhë, ajo ishte imazhi i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, duke u dhënë jetë më shumë se 200 valleve të kërcyera prej saj. Lili Cingu i përket asaj plejade artistësh, që e ngjitën vallen shqipe në skenat më të mëdha të botës, duke treguar një Shqipëri tjetër, me kulturë dhe folklor të pasur.

May be an image of 10 people, people dancing and text

Sallës së provave të Ansamblit do t’i mungojë hapi i saj i lehtë, dhe fjala e saj e ëmbël. Por kjo ikje është vetëm fizike, sepse emri i saj do të jetojë bashkë me Ansamblin, e kudo që të kërcehet vallja shqipe, do të jetë edhe kujtimi i Lili Cingut me publikun që aq shumë e deshi dhe e vlerësoi.“, shkruan ajo.

Cingu ka një karrierë të gjatë si valltarja kryesore e Teatrit të Operas dhe Baletit, veçanërisht në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, përkrah emrave të mëdhenj të skenës. Ajo ka kërcyer valle nga të gjitha krahinat, duke i mbajtur ato gjatë për shumë dekada dhe duke i gdhendur në fondin e artë të artit shqiptar.

Karriera e saj numëron dhjetëra çmime, urdhra e medalje të ndryshme si, “Çmimi i Republikës”, Urdhri “Naim Frashëri”, “Disku i Artë”, “Artiste e Merituar”, “Mjeshtër i Madh”, “Nderi i Kombit”, Medalje në Dizhon të Francës, Medalje në Itali, Turqi, etj., vlerësime të bëra nga personalitete të artit e kulturës shqiptare dhe botërore.

May be an image of 1 person

/abcnews.al

Asnjë koment

Comments are closed.