A do të shtyhen zgjedhjet lokale të 17 tetorit?

Shtyrja e zgjedhjeve lokale për shkak të përhapjes së Covid-19 nuk po shihet si opsion. Sipas njohësve të sistemit zgjedhor, fushata zgjedhore e cila është paraparë të fillojë më 16 shtator duhet të zhvillohet pa prani fizike për mes platformave online dhe videospoteve.

Pak javë para se të fillojë zyrtarisht fushata për zgjedhjet lokale të 17 tetorit monitoruesit e zgjedhjeve vlerësojnë se mbajtja e zgjedhjeve lokale është mënyra e duhur por duke i respektuar më shumë masat kundër Covid-19 krahasuar me zgjedhjet e 14 shkurtit.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se nëse shtyhen zgjedhjet, Kosova nuk do të ishte vendi i parë që do të bënte këtë.

Konsideroj se mënyra më adekuate do të ishte që zgjedhjet të mbahen por të ketë respektim më të madh të masave dhe institucionet përkatëse të shtojnë kontrollimet ndaj tubimeve që po mbahen”, tha ai për RTV21.

Sipas Cakollit, Ministria e Shëndetësisë në prag të fushatës zgjedhore duhet të marrë vendim që të mos i lejojë aktivitetet me numër të madh të qytetarëve.