27-07-2024

Abrashi i gatshëm ta thërras seancën e jashtëzakonshme të KK-së nëse opozita ka nënshkrimet

Kryesuesi i Kuvendit të Komunës (KK) së Prizrenit, Artan Abrashi ka thënë se është i gatshëm ta thërras mbledhjen e jashtëzakonshme të këtij organi konform rregullores, në rast se ka ndonjë kërkesë nga opozita, të shoqëruar me nënshkrimet përkatëse, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.

Dega e AAK-së në Prizren, përmes Grupit të kuvendarëve të Degës, ka bërë mbledhjen e nënshkrimeve me kërkesën për mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal me pikë të vetme të rendit të ditës “Mos mbajtja e edicionit të 30 të Festivalit të këngës së vjetër qytetare “Zambaku i Prizrenit”.

“Si AAK mendojmë se ndalimi i ‘Zambakut të Prizrenit’ është papërgjegjësi dhe paaftësi menaxhuese, prandaj me thirrjen e kësaj mbledhjeje kërkojmë përgjegjësi nga Qeveria lokale. AAK kërkon shkarkimin e Drejtorit të Kulturës nga kryetari e nëse kjo nuk ndodh kërkojmë dorëheqjen e kryetari të Komunës”, thuhet në komunikatë.

Abrashi tha për “GazetaePrizrenit.net” se nëse subjektet politike, sjellin nënshkrimet e parapara konform rregullores, ai është i gatshëm ta thërras mbledhjen e jashtëzakonshme të KK-së.

Rregullorja parasheh, që në rast të dorëzimit të kërkesës për seancë të jashtëzakonshme, në të cilën duhet të jenë edhe 1\3 e nënshkrimeve të anëtarëve të KK-së, mbledhja duhet të mbahet brenda 72 orësh.

Pavarësisht kohës së pushimeve, sikur që tashmë është KK-ja, sipas rregullores, për seanca të jashtëzakonshme nuk ka ndalesë dhe se organi më i lartë lokal mund të mblidhet, nëse e këtë e kërkojnë së paku 14 asamblistë. /GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.