27-04-2024

Aksioni i policisë në Prizren, ky është i dyshuari që tentoi t’i shkelë me veturë policët

Policia e Kosovës në rajonin e Prizrenit, ka ndërmarr një aksion rezultuar me arrestimin e dhjetëra personave të përfshirë në trafikimin me migrantë. Me urdhër të Gjykatës Policia ka kryer bastisje në disa lokacione, ku një nga personat që u arrestua, me qëllim të pengimit të bastisjes, fillimisht tentoi që t’i sulmojë zyrtarët policorë, duke iu sulur atyre me veturë.

Sinjali mëson ekskluzivisht nga burimet e veta brenda Prokurorisë, se i dyshuari që u vu nën kontroll nga Policia, është S.A53-vjeçar.

Ai është gjobitur për rrezikim të trafikut dhe ndaj tij është iniciuar rasti ‘Pengim në kryerje të detyrës zyrtare’. Me urdhër të prokurorit ai është ndaluar për 6 orë, teksa pritet të ngritët kallëzim penal ndaj tij.

Arrestimin e S. A për Sinjalin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili tha se lidhur me rastin një person ka përfunduar në pranga të Policisë, pasi i ka penguar policët në detyrë zyrtare.

Po ashtu gjatë bastisjes në një shtëpi në fshatin Shkozë, është gjetur një shtetas sirian i cili dyshohet se është kontrabandues i migrantëve.

Ndryshe, Sinjali mëson se në mesin e të arrestuarve, ka edhe persona që lidhen me agjenci turistike që merren transportin e udhëtarëve brenda dhe jashtë vendit.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Asnjë koment

Comments are closed.