Autobusët nuk mund të ndalen pa stacion në qytetin e Prizrenit

Policia në Prizren, në bashkëpunim me drejtorinë e Inspektorateve, kanë hartuar një plan operativ të përbashkët për të mos lejuar ndalimin vend e pa vend të transportuesve të udhëtarëve.

Në një konferencë të përbashkët për medie, zyrtarë të drejtorisë së Inspektorateve dhe ata të Policisë, kanë njoftuar për arritjen e marrëveshjes që të inspektojnë ndalimin e autobusëve në qytetin e Prizrenit.

Drejtori i Inspektorateve, Islam Thaçi, tha se një veprim i përbashkët rreth kësaj çështje është iniciuar nga qytetarët të cilët kanë shprehur shqetësimet e tyre me gjendjen e rëndë nëpër rrugët e qytetit dhe vet sigurisë dhe lëvizjes së lirë të tyre.

Ai gjithashtu tha se, një aksion i tillë ka të bëjë edhe me faktin e shmangies së tollovive në rrugët e Prizrenit me shtimin e fluksit të ardhjes së bashkatdhetarëve.

Zyrtari për informim i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, Vesel Gashi, tha se policia do të angazhohet përmes një plani operativ ndaj kompanive që merren me transportin e udhëtarëve e që nuk i përfillin ligjet për trafikun.

Drejtori Thaçi, tha se nuk do të tolerohen më autobusët që të ndalen vend e pa vend në qytet, dhe se ata duhet të jenë të përgjegjshëm karshi Ligjit në fuqi. Përveç policisë së trafikut dhe zyrtarëve të Inspektorateve, në këtë aksion i cili do të zgjas në kohë të pacaktuar do të angazhohen edhe disa inspektorë të drejtorisë së Shërbimeve Publike në Prizren./tvprizreni.com/