19-04-2024

Kino Lumbardhi kalon në pronësi të Komunës

Kino Lumbardhi ka kaluar në pronësi të Komunës së Prizrenit.Pas 19 vitesh paqartësi në lidhje me statusin pronësor të tij, kërkesa e Komunës se Prizrenit për kthim të pronës nga Agjencia Kosovare e Privatizimit është pranuar në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të mbajtur më 17 korrik 2018.

I themeluar në mes të shekullit XX, “Kino Lumbardhi” është ndër kinematë e vetme në Ballkan me sallë të mbyllur e të hapur. Për 70 vite ka qenë qendër e shfaqjeve të filmave, festivaleve dhe e aktiviteteve kulturore në qytetin e Prizrenit. Pas çaktivizimit të ndërmarrjes shoqërore “Bistrica”, kinemaja u la në degradim, ndërsa qyteti i Prizrenit mbeti pa kinema. Si reagim, në vitin 2002, një grup qytetarësh themeluan DokuFest-in, për ta rikthyer kinemanë në këtë qytet për filmdashës dhe për të kërkuar aktivizimin e “Kino Lumbardhit”.

Siç mbahet në mend, pas luftës kinemaja ka qenë subjekt i debateve dhe i nismave të ndryshme për rrënimin e saj. Shoqëria civile e Prizrenit ka reaguar nëpërmjet Iniciativës për Mbrojtjen e “Kino Lumbardhit” në 2007 dhe 2014, e udhëhequr nga DokuFest dhe EC Ma Ndryshe, në mbështetje edhe të 58 organizatave dhe 8000 qytetarëve, nënshkrues kundër rrënimit dhe tjetërsimit të Kino Lumbardhit.

Aktivizmi qytetar ka korrur sukses në 2015, kur kërkesa e parashtruar nga kjo iniciativë u pranua dhe “Kino Lumbardhi” ka fituar statusin e monumentit të mbrojtur të trashëgimisë kulturore.

Për të vazhduar iniciativën, përfaqësuesit e saj kanë themeluar Fondacionin Lumbardhi dhe në marrëveshje me AKP-në i kanë rihapur dyert e kinemasë, duke e kompletuar fazën emergjente të restaurimit dhe funksionalizimit të saj dhe duke e vënë në shfrytëzim të mbi 60 organizatave dhe shoqërive gjatë këtyre 3 viteve.

Komuna e ka vlerësuar angazhimin qytetar për kthimin e kinemasë dhe ka shprehur gatishmërinë për ta zgjidhur përfundimisht çështjen e pronësisë se saj, duke e adresuar një kërkesë në Qeveri të Kosovës dhe duke ndërmarrë veprime konkrete në këtë drejtim. Po ashtu, Komuna e Prizrenit prej fillimit të mandatit qeverisës ka pasur bashkëpunim pro-aktiv me Fondacionin Lumbardhi, duke e diskutuar planin e menaxhimit të hapësirës, duke mbajtur takime me donatorë dhe palë të ndryshme për të siguruar financimin për ri-vitalizimin e plotë të tij.

Ky bashkëpunim do të vazhdojë derisa kinemaja e dikurshme të kthehet në funksion të plotë si institucion kulturor multi-funksional.

Komuna e Prizrenit dhe Fondacioni Lumbardhi falënderojnë Qeverinë e Kosovës dhe të gjithë akterët e përfshirë në plotësimin e kërkesës shumëvjeçare të qytetarëve të Prizrenit.

 

Asnjë koment

Comments are closed.