02-11-2024

Baldedaj nuk i beson Zafir Berishës, rreth konkursit për drejtorë

Shefi i grupit të asamblistëve të AAK-së në Prizren, Ilir Baldedaj, ka thënë se nuk i beson deklarimeve të kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Zafir Berishës, kur thotë se ai nuk është përzier në procesin e zgjedhjes së drejtorëve të shkollave.

 

“Duke e njohur mentalitetin qeverisës të Berishës,  qysh në kohën sa ishte kryetar i PDK-së nuk i besoj  asaj që deklaron, pasi ai edhe më parë ka negociuar me drejtorët e shkollave në këmbim të librezës partiake, njësoj sikur është duke vepruar edhe tash”, ka thënë ai.

 

Për zhvillimet në arsim,  Baldedaj ndërkaq e bën përgjegjës edhe kryetarin Haskuka, për siç thotë premtimet për  depolitizim të arsimit, derisa tashmë sipas tij, po ndodh politizimi i skajshëm i përcjellë edhe me kërcënime e shantazhe.

 

Ai vlerëson se konkursi për drejtorë të shkollave, po kalon nëpër një proces shokues, të denjë për një skenar për filmat e Hiçkokut.

 

“Haskuka premtoi depolitizim, ndërsa personat zyrtar deri në zv. ministra i thërrasin anëtarët e Komisionit për  përzgjedhjen e drejtorëve, me kërcënime e shantazhe për të vepruar sipas direktivave, për t’i poentuar njerëzit e politikës”, ka thënë ai, duke paralajmëruar se të gjithë drejtorët do të jenë aktivistë-militantë të subjekteve politike të koalicionit./gazetaeprizrenit.net/

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.