12-05-2024

Bizneset në kundërshtim me ligjin/ Shesin qese me llogo, Ministria nuk gjobit asnjë

Udhëzimi administrativ për qeset e plastikës që disa i ndalon tërësisht e të tjerat i bën me pagesë ka hyrë në fuqi tash e sa muaj.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, pati deklaruar se ky udhëzim administrativ ndalon përdorimin e qeseve të plastikës nga 0 deri 25 micron.

“Pra qeset e holla të plastikës të cilat përdoren sot dhe mund të merren në markete falas do të ndalohen plotësisht. Nga 0 de 25 micron do të lejohen vetëm qeset të cilat përdoren për fruta e nuk do të kenë ato mbajtëset. Ndërsa qeset nga 25 deri në 50 micron do të lejohet përdorimi i tyre dhe do të kushtojnë 5 cent por nuk do të lejohet që të kenë logo të prodhuesve”, pati thënë ministri Aliu.

Inspektimet kanë filluar, por deri më tani asnjë gjobë nuk është shqiptuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Kështu kanë bërë të ditur për Front Online nga kjo Ministri.

“Deri më tani Inspektorati i MMPHI, nuk ka shqiptuar gjoba rreth qeseve të plastikës”, thuhet në përgjigjen e MM-së.

E për ta mbikëqyrur zbatimin e këtij Udhëzimi Administrativ, janë vetëm pesë inspektorë në Kosovë.

Këtë e kanë konfirmuar për Front Online nga Ministria e Mjedisit.

“Inspektorati i MMPHI- ka 5 inspektor për mbrojtje të mjedisit. Këta e kanë për detyrë zbatimin e UA për qese të plastikës. Në plane të punës se Inspektoratit kane hyrë prodhuesit e qeseve të plastikës dhe ne tani veç kemi filluar me inspektime pas inspektimeve do të kemi edhe raportet e plota sa i përket këtyre inspektimeve të cilat do te bëhen publike!”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Asnjë koment

Comments are closed.