18-04-2024

Çfarë ndodhi me ndërtimin e Bibliotekës së Prizrenit?

Në dhjetor të vitit 2014 është vënë gurthemeli i objektit të Bibliotekës Komunale të Prizrenit, nga ish-kryetari  Ramadan Muja, por përkundër që kaluan 6 vjet ndërtimi i këtij objekti ka mbetur në gjysmë, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Objektit të nisur afër bibliotekës më të vjetër që njeh qyteti, asaj të Sozi Çelebiut, nuk i është vënë as kulmi.

Pas fillimit të punimeve, Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor e Prizrenit ka shfuqizuar lejen ndërtimore të bibliotekës, me arsyetimin se ka disa mangësi procedurale, ndërsa është raportuar se Komuna e Prizrenit ka vënë gurthemelin e kësaj biblioteke pavarësisht se Ministria e Kulturës nuk e ka dhënë miratimin përfundimtar, duke kërkuar rishikimin dhe plotësimin e projektit, meqenëse në afërsi është ndërtesa e shkollës së vjetër Ruzhdije e cila ka status të mbrojtur.

Për fillimin e punimeve, pat reaguar edhe Organizata Jo-Qeveritare “Emancipimi Civil Ma Ndryshe”, në kuadër të projektit “Urbanizmi i Prizrenit nën vëzhgim të përhershëm”, ndërsa ishte kërkuar që mos të jepet leje për të njëjtin lokacionit për t’u ndërtuar kjo bibliotekë.

Ndonëse prej afër një dekade, Prizreni ka edhe statusin qytet universitar, qendra më e madhe komunale pas Prishtinës, nuk ka bibliotekë të veçantë për mijëra të rinj, studentë, nxënës dhe lexues. /GazetaePrizrenit.net /

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.