11-05-2024

Çfarë parasheh Ligji për Paga në sektorin publik, dallime për kryetarët e Komunave

Ministria e Punëve të Brendshme e ka nxjerrë sot Projektligjin për paga në konsultime publik, qëllimi i të cilit është përcaktimi dhe rregullimi i sistemit të pagave dhe shpërblimeve për të gjithë të punësuarit që përfitojnë pagë nga buxheti i Republikës së Kosovës.

Pagat e punëtorëve llogariten duke e shumëzuar koeficientin e pagës për pozitën (nga 1 – 18 sipas projektligjit aktual) me vlerën monetare të koeficientit që mendohet se do të jetë 120 euro.

Në dokumentin e plotë i cili është publikuar nga Zyra e Kryeministrit, janë koeficientet e propozuar për punëtorët e shtetit, sipas të cilëve është propozuar që të jetë paga e secilit.

Me koeficientin më të lartë prej 18, prin presidenti i vendit, i cili pasohet nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese i cili ka koeficientin 17.5.

Pas tyre janë renditur kryeministri dhe kryetari i Parlamentit të Kosovës, me 17.

Me projektligjin e ri të pagave do të ketë ndryshim edhe në kategorizimin e pagave të kryetarëve të Komunave.

Varësisht nga numri i banorëve, do të ndryshojnë edhe pagat për kryetarët që drejtojnë ato Komuna.

Me këtë kategorizim, kryetari i kryeqytetit do të ketë koeficient të veçantë i cili nëse “përkthehet” në vlerë monetare i bie të paguhet 1,800 euro. Kurse rreth 250 euro më pak do të marrin kryetarët e Prizrenit dhe Ferizajt që menaxhojnë qytete me mbi 100 mijë banorë.

Ndërsa, dhjetë kryetarë tjerë do të marrin pagë prej 1,416 eurove, pasi Komunat që ata drejtojnë kanë më pak se 10 mijë banorë.

Në gjyqësor prinë Kryetari i Gjykatës Supreme më koeficient 17. Po aq është paraparë të jetë edhe për Kryeprokurorin e Shtetit. Komandanti i FSK-së ka koeficient 15, kurse me 0.5 më pak vjen Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës.

Mësimdhënësit në shkollat e mesme të lartë është propozuar të vlerësohen me koeficient prej 5.8.

Projektligji duhet të kalojë procedurat e konsultimeve paraprake dhe publike, si dhe pas miratimit në Qeveri e Kuvend, do të publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Ky projektligj hyn në fuqi tetë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Numri i punonjësve që marrin paga nga buxheti i Kosovës është rreth 83 mijë veta.

Paga mesatare bruto për vitin 2021, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është 484 euro.

/GazetaSinjali/

Asnjë koment

Comments are closed.