10-11-2024

Çfarë përfaqësimi po bën koalicioni qeverisës në Prizren?

Prizreni këtë vit e nisi me përbërje të re të qeverisjes lokale. Një dekadë pas PDK-së, në pushtet erdhi një forcë e re, Vetëvendosja (VV)! që krijoi koalicion me partinë më të vjetër LDK-në dhe Nismën, e cila këtu në përbërje ka kryesisht anëtarësinë e ish-Bashkimit Demokratik të Zafir Berishës, dikur kryetar dege i PDK-së, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Pushtetin e tyre ndërkaq nuk e lëkundën fare dy subjektet minoritare: NDS-boshnjak dhe  KDTP-ja turke, që vazhdojnë ta kenë hisen edhe tashmë kur qeverisjen e drejton VV-ja.

Nga 41 ulëse sa ka Kuvendi Komunal (KK), koalicioni ka 22 sosh.

Nga konsitutimi i qeverisjes së re, VV arriti ta dyfishoi numrin e këshilltarëve nga 3 në 7. Përkundër që tashmë janë dyfish më shumë, fitohet përshtypja se kuvendarët e tashëm nuk bëjnë aq sa ish-asamblistët e mandatit të kaluar që ishin hiperaktiv gjatë seancave të KK-së. Së paku kështu është parë, në gjysmën e parë të vitit.

Ata lënë përshtypjen e një grupi të pakoordinuar mirë. Të gjithë janë pa ndonjë përvojë politike, dhe për herë të parë janë pjesë e KK-së. Nga ajo që është parë deri më tani, shumica e propozimeve të bëra nga ta, janë ato të cilat edhe kishte në plan t’i realizonte ekzekutivi.

Përkundër që kaluan 7 muaj në pushtet, kuvendarëve të VV-së, ende u ka mbetur retorika e kaluar, dhe shpesh në vend se të merren me të tashmen, duke ofruar propozime konkrete, ata fajësojnë ish-qeverisjen e Ramadan Mujës.

Sa shihet deri më tash, nga paraqitjet e tyre, ata nuk i kanë të ndara profilet jetësore të cilat duhet t’i mbulojnë, ta zëmë shëndetësinë, arsimin, urbanizmin, etj. Në mesin e grupit, nuk mund të veçohet ndonjëri nga asamblistët për aktivitet më të madh për propozime konkrete si anëtar i organit më të rëndësishëm komunal, në  kuadër të kompetencave të KK-së. Nuk është vërejtur ndonjë reagim i zëshëm e përmbajtjesor dhe me fakte të tyre ndaj  akuzave të këshilltarëve që vijnë nga opozita.

Po ashtu, nuk vërehet se ka ndonjë koordinim mes tyre me grupet e këshilltarëve nga subjektet në koalicion.

Partneri tjetër i qeverisjes, LDK kësaj radhe është tkurrur për 40 për qind. Kjo është hera e parë  që ajo ka numër kaq të vogël të ulëseve në KK, derisa mandatin paraprak kishte 10 sosh. LDK tash radhitet forca e tretë. Katër nga këshilltarët e tanishëm janë për herë të parë në ulësen e asamblistit. Kërkesat e këtij grupi kryesisht kanë të bëjnë me zonat prej nga vijnë,  në infrastrukturë  dhe shërbime të tjera në të mirë të qytetarëve.

Gjatë kësaj kohe, si më aktivi nga grupi i LDK-së mund të veçohet, kuvendari i ri, jo vetëm si anëtarë i KK-së, por edhe për nga mosha, Petrit Hoxhaj, i cili  vazhdimisht i ka ngritur disa shqetësime të rëndësishme, përfshirë çështjen e prostitucionit, të qenve endacak e të dukurive tjera negative. E rëndësishme është që ai po ashtu ka kërkuar llogaridhënie edhe nga vetë drejtorët e ekzekutivit, përkundër që partia e tij është pjesë e koalicionit.

Kuvendarja Sadije Jakupi dallohet për fokusimin e saj në çështjet që kanë të bëjnë më gratë. Kjo sigurisht pasi ajo edhe drejton grupin joformal të grave në KK-në e Prizrenit.

Sa i përket grupit të këshilltarëve të Nismës Socialdemokrate, në këtë mandat ata kanë ruajtur numrin e këshilltarëve, aq sa kishin në përbërjen e kaluar. Sa i përket angazhimeve të tyre në KK, kuvendarët e tashëm nuk mund të thuhet se kanë mundur ta ruajnë aktivitetin e njëjtë, sikur ata nga përbërja e kaluar. Ish-shefi i grupit, Skënder Susuri (aktualisht drejtor i Arsimit) ishte shumë aktiv sa ishte në opozitë, e tash  përjashtuar ndonjë rast, nuk mund të thuhet se ka ngjashmëri.

Karakteristikë e asamblistëve të dy partive më të vogla: KDTP-së (3 këshilltarë) dhe NDS-it (dy këshilltarë) është se kërkesat e tyre kanë të bëjnë kryesisht me nevojat e komuniteteve që përfaqësojnë, të fokusuar në çështjet e infrastrukturës.

Vlen të përmendet se pika që ka ngjallë interesim më të madh, kësaj radhe është ajo për “Pyetjet dhe Propozime të këshilltarëve”, pasi pothuajse të gjithë anëtarët, përfshirë edhe ata të opozitës e kanë tejkaluar kohën e paraparë prej 2 minutash, për t’i paraqitur kërkesat dhe nevojat e qytetarëve.  Në këtë rast, gjithsesi duhet ndërruar rregullorja, në mënyrë që të shtohet koha e lejuar për paraqitjen e asamblistëve, aq më tepër kur krahasuar me të tjerat, interesimi në këtë pikë është shumë më i madh.

Ajo që ka rënë në sy, dhe që është mirë të përfshihet në rregulloren e KK-së është çështja e prezencës gjatë tërë kohës e kuvendarëve në seancë, meqenëse pas paraqitjes në fillim, disa nga kuvendarë e lëshojnë mbledhjen. Për këtë duhet të ketë ndonjë masë disiplinore, pasi ata janë të detyruar të jenë deri në fund të mbledhjes së Kuvendit./GazetaePrizrenit.net/

P. S

Nesër në editorialin e radhës në “GazetaePrizrenit.net” shkrimi që ka të bëjë me përfaqësimin e opozitës së Prizrenit në KK).

Asnjë koment

Comments are closed.