Çfarë solli seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Prizrenit për “Zambakun”
Anëtarët nga opozita në Kuvendin të Komunës (KK) së Prizrenit, sot seancën e jashtëzakonshme derisa kritikuan pushtetin lokal për mosmbajtjen e edicionit të sivjetmë jubilar, të festivalit tradicional “Zambaku i Prizrenit”, i quajtën të pandershme deklarimet e fundit të zyrtarëve përfshirë edhe kryetarin Mytaher Haskuka për mbajtjen e festivalit, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.
Seanca e sotme ishte thirrur me kërkesë të opozitës AAK-së e PDK-së, për të debatuar rreth përgjegjësisë së Kryetarit Haskuka dhe drejtorit të Kulturës, Ehat Oreshka, rreth paralajmërimeve për mosmbajtjen e “Zambakut”.
Në seancë nuk mori pjesë Haskuka dhe disa këshilltarë të koalicionit qeverisës. Po ashtu nuk morën pjesë as anëtarët e KK-së nga partitë e komuniteteve, turke e boshnjake.
Mospraninë e tyre e kritikuan kolegët nga opozita, përfshirë Shukri Qunin, Alush Shalën (PDK) e Fatmir Kastrati (AAK) që thanë se janë të befasuar me këtë veprim të minoriteteve, të cilët në qeverisjen e kaluar ishin pjesë e pushtetit. Kastrati, ndërkaq theksoi se kjo e bën të kuptojë se këtu ka diçka edhe më tepër.
Kuvendari iniciues i seancës së jashtëzakonshme, Ilir Baldedaj që foli i pari, akuzoi drejtorin Oreshka dhe Haskukën. “Mosmbajtja e festivalit të këngës së vjetër qytetare është përbuzje e vlerave” tha Baldedaj, i cili kërkoi shkarkimin e drejtorit nga Haskuka, duke thënë se në të kundërtën do të kërkohet dorëheqjen e kryetarit.
Simir Krasniqi, shefi i grupit të kuvendarëve të PDK-së, tha se dështimet e Haskukës nuk kanë të ndalur. Pasi përmendi vlerat e festivalit tradicional “Zambakut…” duke ironizuar për mosmbajtjen ai e përgëzoi kryetarin me fjalët: “Bravo kryetar, qesharak e kukull”.
Kuvendarët Bardh Avdaj, Dafina Bllaca, Shukri Quni, Sulltan Badallaj hodhën kritika ndaj pushtetit, duke kërkuar sqarime për kohën se kur do të mbahet “Zambaku…” i paralajmëruar një ditë më parë nga zyrtarët. Quni ndërkaq kujtoi se festivali ndërlidhet me lulen e veçantë të Prizrenit dhe nuk mund të mbahet në dimër.
Fatmir Kastrati (AAK) tha se duke i ditur pretendimet e Vetëvendosjes, që kanë program kombëtar, ka pritur që edicioni i sivjetmë të jetë mbarëkombëtarë e jo të mosmbahet fare, percjell “GazetaePrizrenit.net”.
Alush Shala tha se vula e mos përgjegjësisë është mos prezenca e Haskukës në këtë mbledhje, derisa shtoi se nëse “Zambaku” nuk mbahet atëherë ka shenja se pakënaqësia qytetare do të kthehet në revoltë.
Haziz Hodaj nga LDK në koalicion, tha se pas deklarimeve të kryetarit Haskuka për mbajtjen e festivalit mbledhja nuk ka kuptim dhe pastaj u largua nga salla me disa kolegë të partisë së tij. Por, kështu nuk veproi edhe bashkëpartiaku i tyre, Petrit Hoxhaj, i cili kishte nënshkruar peticionin e opozitës për mbledhje të jashtëzakonshme, e që pasi paraqiti fjalën e tij, ai u largua nga mbledhja.
Drejtori i Kulturës Oreshka, në fund në foltore mohoi të ketë thënë se festivali nuk do të mbahet, por ndaj tij pati reagime nga opozita, duke ia kujtuar deklarimet “e pandershme”, që po bënte tashmë kur opozita ka reaguar.
Kjo është hera e parë që në këtë përbërje, KK mblidhet në seancë të jashtëzakonshme dhe kësaj radhe sipas kërkesës së opozitës. Pas seancave të rregullta, të mbajtur në pjesën e parë të vitit, organi më i lartë lokal ndodhet në pushime, por rregullorja e obligon, që të mblidhet 72 orë pas ndonjë kërkese të së paku 1/3 së anëtarëve për të mbajtur seancë të tillë./gazetaeprizrenit.net/