Çifti në gjumë, hajnat ziejnë dhe ushqehen të qetë në kuzhinë

Të shtyrë nga uria ose ndonjë arsye tjetër, dy persona kanë hyrë në një apartament herët në mëngjes të shtunën. Atje kanë ngrohur dhe pastaj e kanë ngrënë ushqimin e gatuar paraprakisht nga të zotët e shtëpisë, shkruan 20minuten.ch.

Kjo ka ndodhur rreth orës 2.45 të mëngjesit, në Walenstadt SG, sipas një raporti nga policia e kantonit St. Gallen.

Dy personat kanë hapur pako të ndryshme ushqimore dhe kanë ngrënë pjesën më të madhe nga to.

E zgjuar nga zhurma, zonja e shtëpisë u është drejtuar të dy burrave, transmeton albinfo.ch. Në fillim ata kanë vazhduar të ngrohnin dhe të konsumonin ushqimin pa u shqetësuar. Ata kanë ikur në një drejtim të panjohur vetëm kur në kuzhinë ka hyrë edhe burri.

Policia thotë se hajnat nuk kanë vjedhur asgjë ndërsa i gjithë dëmtimi i shkaktuar ka qenë minimal: ushqimi që kanë konsumuar.

Mbetet e panjohur nëse dy burrat, (20 deri në 30 vjeç), ishin të dehur dhe kishin humbur rrugën në apartament.