20-05-2024

Dënim ndaj tre të akuzuarve për kanosjen e gazetarit Vehbi Kajtazi

Gjykata Themelore në Prishtinë u ka shqiptuar gjobë në vlerë prej 700 euro (secilit veç e veç) Brahim Hajvazit, Kadri Racit dhe Afrim Gashit, të akuzuar se në dhjetor të vitit 2021 përmes rrjeteve sociale kanë kanosur gazetarin Vehbi Kajtazi.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarve u shpall të hënën nga gjykatësja e rastit Sulltane Hoti, pasi të akuzuarit e kishin pranuar fajësinë në seancën fillestare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtij aktgjykimi, secili veç e veç është i obliguar të paguajë dënimin me gjobë në vlerë prej 700 euro brenda afatit të caktuar ligjor.

Gjykatësja Hoti njoftoi se në rast se dënimi me gjobë nuk realizohet, i njëjti do të zëvendësohet me burgim.

Të akuzuarit janë obliguar po ashtu t’i paguajnë edhe shpenzimet e paushallit gjyqësor në shumën prej 30 euro si dhe fondin për kompensimin e viktimave në shumë prej 30 euro.

Ndërsa, pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohet në kontest civil.

Ndryshe, në këtë rast akuzohet edhe Alban Hazrollaj për të cilin gjykatësja Hoti në seancën e kaluar bëri të ditur se gjykata ka njohuri se i njëjti gjendet jashtë shtetit, ndërsa me propozimin e prokurorit Eset Rama është veçuar procedura për të, me qëllim të efikasitetit të procedurës penale.

Sipas aktakuzës më 14 dhjetor 2021, Brahim Hajvazi, Kadri Raci, Afrim Gashit dhe Alban Hazrollaj, përmes rrjeteve sociale e kanë kanosur seriozisht të dëmtuarin Vehbi Kajtazi.

Aktakuza thotë se, i pandehuri Hajvazi ka shkruar dhe ka komentuar në rrjete sociale dhe ka kanosur gazetarin. Gjithnjë sipas aktit aktuzuesHajvazi e quajtur Kajtazin përdhunues dhe ka bërë thirrje për pushkatim.

Asnjë koment

Comments are closed.