25-04-2024

Dështon sërish shqyrtimi kryesor në rastin e rrënimit të aneksit “Abi Çarshia” në Prizren

Të hënën, në Gjykatën Themelore në Prizren ka dështuar të mbahet seanca ndaj të pandehurve Islam Thaqi, Jetmire Venezi, Egzonë Morina-Thaqi, Arian Taraku, Isë Bislimaj dhe Shqipëron Krasniqi, të cilët po akuzohen për rastin e rrënimit të aneksit të “Abi Çarshia” në Prizren.

Shkak për mosmbajtjen e kësaj seance ishte mungesa e kryetares së trupit gjykues Kymete Kicaj, e cila ka probleme shëndetësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lexo edhe:

VIDEO nga Pashtriku: Vend-arena e rënies së luftëtarëve të UÇK-së me 14 dhjetor 1998

Këtë lajm e ka konfirmuar zyrtari për media i Gjykatës Themelore në Prizren Marcel Lekaj, i cili ka njoftuar se seancat e parapara të mbahen me 14 dhe 15 dhjetor shtyhen dhe të njëjtat do të mbahen me 09 dhe 10 shkurt 2021.

Tutje në njoftim nga është cekur se për shtyrjen e këtyre seancave paraprakisht kanë qenë të informuara të gjitha palët në procedurë.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 20 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Islam Thaqi, Jetmire Venezi, Egzonë Morina-Thaqi, Arian Taraku dhe Isë Bislimaj, duke i ngarkuar me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzë thuhet se me 19 dhe 21 korrik 2019 në Prizren, në objektin “Abi Çarshia”, të akuzuarit Islam Thaqi, në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Verezi dhe Egzona Morina Thaqi, inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit “Abi” SHPK në Prizren.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit realizojnë rrënimin e aneks-objektit të “Abi Çarshia”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim, të njëjtit veprojnë në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, me Udhëzimin Administrativ nr.06/19, me Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat janë anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.

Sipas Prokurorisë, këto vendime obligojnë organet komunale në Prizren të veprojnë konform Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe udhëzimeve administrative në fuqi, andaj sipas aktakuzës, të akuzuarit duke mos i përfillur këto vendime, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi, me ç’rast gjatë rrënimit të aneksit të “Abi Çarshia” i shkaktojnë dëm në shumën prej 69,729.66 euro.

Me këto veprime, të gjithë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragraf 2-1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.