25-04-2024

Dështon vazhdimi i gjykimit ndaj të akuzuarit se shiti një veturë me ndalesë për shitje

Për shkak të mungesës së të akuzuarit Arsim Lumi, ka dështuar të mbahet seanca e paraparë për të hënën në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Suharekë, ku ai po gjykohet për veprën penale “dëmtim i të drejtave pronësore të personave tjerë”.

Gjykatësi i çështjes, Lavdim Bajraktari tha se i akuzuari ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt me procesverbalin e seancës së kaluar, mirëpo mungesën e tij në seancën e së hënës nuk e ka arsyetuar.

Të pranishëm në seancë ishin prokurori Shahadin Destani, i dëmtuari Salih Pirku dhe dëshmitari Mehdi Reshani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Por në mungesë të të akuzuarit, gjyqtari Bajraktari e ka shtyrë seancën për 12 korrik 2021, për të cilën seancë, ka vendosur që i akuzuari Lumi të sjellët me detyrim nga ana e Policisë së Kosovës.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, Arsim Lumi po akuzohet se nga 20 prilli 2017 e deri më 21 nëntor 2018, me qëllim që të pengoj pagesën e borxhit kreditorit, gjatë ekzekutimit të detyrueshëm, ka tjetërsuar, asgjësuar ose fshehehur pjesë të pasurisë dhe me këtë ka dëmtuar kreditorin – të dëmtuarin Salih Pirku.

Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, e ka bërë në atë mënyrë që duke mos mundur që ta regjistroj automjetin e tij, i njëjti e tjetërson – shet automjetin e markës “Daimler Chrysler” për të cilin automjet kishte të vendosur ndalesën për regjistrim, përkatësisht për mos-shitje dhe tjetërsim nga Ministria e Punëve të Brendshme – Drejtoria për Regjistrimin e Automjeteve, me ç’rast të dëmtuarit Salih Pirku, i shkakton dëm material.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “dëmtimi i të drejtave pronësore të personit tjetër”./BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.