24-04-2024

“Dokufest”, Prizreni në atmosferë festive (foto)

Një ditë para hapjes zyrtare të ngjarjes më të madhe filmike në Kosovë, Festivalit  Ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “Dokufest”, Prizreni si nikoqir është në atmosferën festive, përderisa në qytet janë shpalosur flamuj dhe materiale tjera paralajmëruese dhe se aty këtu, afër objekteve historike tashmë shihen vizitorë  të rinj, pjesëmarrës në këtë ngjarje javore, që zyrtarisht hapet mbrëmjen e së premtes, me 3 gusht, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Hapja e festivalit bëhet, në Kino “Lumbardhi”, me filmin THE RAFT nga regjisori Marcus Lindeen.

Prizreni ka bërë përgatitjet e nevojshme për fillimin e edicionit të  trembëdhjetë të  “Dokufestit” që nga shumë nga kush cilësohet si një “limonadë ”, një lloj pije freskuese lokale e preferueshme nga vendasit, sidomos gjatë sezonit veror, kur temperaturat janë të larta.

Në mjediset  ku punohet  për  organizimin e festivalit, gjithandej  ka lëvizje e gjallëri, secili në drejtimin e tij. Një buzëqeshje modeste dukej në fytyrën e Veton Nurkollarit, njërit nga drejtuesit e festivalit, teksa rreth tij disa të rinj, kryejnë punët, për të bërë gati gjërat e planifikuara para fillimit të kësaj ngjarje kulturore.  Për këtë edicion janë angazhuar 90 koordinatorë  dhe 150 vullnetarë.

 

Nita Deda, drejtoreshë e festivalit, tha për “GazetaePrizrenit.net” se deri me tash janë shpallur të gjitha programet e Dokufest-it, përfshirë 260 filma që do të shfaqen në 10 kinema, pastaj  programi i DokuPoto dhe koncertet e muzikës, programi për fëmije “DokuKids” si dhe një numër i paneleve, masterklasave dhe punëtorive.

“Të gjitha kinematë janë ndërtuar, përfshi edhe instalacioni në Kala me mbishkrimin “AS WE ARE” – “ASHTU SI JEMI”  dhe do të qëndrojë aty deri në fund të festivalit. Ky mbishkrim vjen përmes temës së REFLKEKTIMIT e cila do të theksohet në këtë edicion të DokuFest. Kjo temë do të hulumtohet përmes kampanjës së festivalit si dhe përmes një kombinimi të programit të filmave, ekspozitave digjitale, bisedave me artistë, punëtorive dhe performancave muzikore”, ka thënë ajo.

Frymëzuar nga kënga e Velvet Underground “I’ll Be Your Mirror”, programi i DokuFest synon të shndërrohet në pasqyrë të botës ku jetojmë, si një pikënisje të asaj se kush dhe çka jemi. “Ne shpresojmë Prizreni të shndërrohet në një vend ku imagjinohet përtej realitetit, ku reflektohet, mësohet dhe krijohet. Tema e sivjetme është ftesë. Prandaj, ne i kemi ftuar njerëzit të vijnë ashtu siç janë”, ka thënë Deda.

Në festival do të marrin pjesë mbi 200 mysafirë, artistë, njerëz nga vende të ndryshme të botës, të cilët do të sistemohen në hotele, bujtina dhe shtëpi private, por organizatorët presin numër edhe më të madh të mysafirëve.

Për një sistemim sa më mirë të pjesëmarrësve thonë se janë mobilizuar edhe lokalet hoteliere. Sedat Shabani, menaxher në hotel “EDI” që ndodhet në qendër të Prizrenit, tha se ka bërë gati dhomat për të pritur mysafirët e “Dokufestit”, ndërsa  janë përqendruar në kuzhinën tradicionale pa lënë anash edhe specialitet tjera. “Çmimi i dhomës për 2 persona është 50 euro, ndërsa përfshihet mëngjesi edhe parkingu”, ka thënë ai,  përcjell “GazetaePrizrenit.net” . Ngjashëm rrëfejnë edhe pronarët e hoteleve tjera, të tjera të angazhuara për mysafirët.

Fotografia e Dokufest

Festivali mbahet nga 3 deri me 11 gusht dhe premton diçka për të gjithë. Një festival të filmit për fëmijë, ekspozita fotografie, punëtori informuese, shfaqje të dokumentarëve dhe filmave të shkurtë, ahengje dhe argëtim. Përveç shfaqjeve të filmave, do të zhvillohen edhe ngjarje tjera të ndryshme si punëtori, ekspozita fotografike, kampe dhe koncerte. Sipas programit të filmave të prezantuar në një  katalog të përgatitur me shije, del se përmbajtja e filmave, pjesë e këtij edicioni, është e larmishme.

Blendi Gashi, një i ri prizrenas tha se “Dokufest” po shndërron Prizrenin në një epiqendër gjatë verës, pasi ky është një vendtakim për të gjithë në tërë rajonin.

Festivali ndërkombëtar i filmit, përveç organizatorëve të tij ka aktivizuar edhe institucione të tjera lokale, që të ndërmarrin aktivitete të ndryshme për të promovuar vlerat e qytetit të Prizrenit. Drejtuesit komunal të turizmit kanë thënë në këtë kontekst ciceronët do të jenë të gatshëm për prezantim të qytetit, në mënyrë që njerëzit e artit ta njohin sa më mirë historinë dhe kulturën e këtij vendi.

Organizatorë e “Dokufestit” presin që edhe sivjet një pjesë e publikut të jenë nga Prishtina e Tirana. Organizimi i “Dokufestit” mbështet materialisht nga komuna e Prizrenit, Ministria e Kulturës së Kosovës dhe një numër i donatorëve.

Ndryshe, kjo ngjarje kulturore për një javë do të rris edhe qarkullimin në Prizren, duke sjellë përfitime për bizneset e këtushme./GazetaePrizrenit.net

P.S Fotot janë nga “Dokufest”

Asnjë koment

Comments are closed.