05-10-2024

“Dokufest”, SHKA “Agimi ” dhe “Malësori” përfituesit më mëdhenj financiarë nga komuna

Festivali “Dokufest”, SHKA “Agimi ” dhe ajo “Malësori” nga Gjonaj kanë  përfituar më së shumti mjete financiare,  të cilat Komuna e Prizrenit i jep në formë të subvencioneve në fushën e kulturës,  shkruan “gazetaeprizrenit.net”.

 

Nga gjithsej 75 kërkesat dhe aplikacionet nga subjektet e ndryshme kulturore dhe rinore të Komunës së Prizrenit, një komision i formuar për këtë qëllim,  ka vendosur të mbështes materialisht 51 sosh. Për mbështetjen e tyre do të jepet  vlera totale prej 70.500 euro.

 

Derisa për “Dokufest-in” janë ndarë më së shumti mjetet apo 10 mijë euro,  SHKA “Agimi ” dhe ajo “Malësori” janë në vend të dytë sa i përket shumës së përfituar me nga 3 mijë euro.

 

Sipas të dhënave nga Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport në Prizren, 24 të tjera kërkesa janë refuzuar, për shkak të mungesës së dokumentacionit,  pastaj shkaku i qëllimit jo adekuat të projektit apo mospërputhjes me objektivat e thirrjes për aplikim.

 

Komisioni ka vendosur që vlera më e lartë e subvencionimit për këto subjektet të jetë jo më shumë se 10 mijë €, derisa ajo më e ultë të jetë jo më pak se 300 €. Komisioni ka përpiluar listën për ndarjen e subvencioneve, të cilën do t’ia paraqes kryetarit të Komunës për miratim.

 

Me 2.700 euro është përkrahur  AKV ”Lidhja e Prizrenit”,  “Dogru Yol” TKSD turke e SHKA boshnjake “Sarski behar” me nga 2. 500,  derisa  OJQ “Durmish Asllano”, me 2.000 euro.

OJQ – Ansambli “Emin Duraku” ka përfituar 2,500 euro, ndërsa SHKA ”Katarina Josipi -Sumbi” dhe SHKA “Muharrem dhe Xhevat Qenaj” nga 2.000 mijë euro. Për ”Teatrin amator” dhe për ”Takimet e Gjeçovit” ndërkaq janë dhënë nga 1.500 euro.

 

Mjete në vlerë prej 300 euro e më lart ndërkaq janë ndarë edhe për disa individë në fushën e kulturës si Tringa  Siqecën, Hasan Morinën, Rabije Krasniqin, Osman Gorancin, Orhan Gashin, e tjerë. /gazetaeprizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.