19-04-2024

Në Prizren lansohet programi i skriningut të kancerit të qafës së mitrës

Sot zyrtarisht u lansua programi i Skriningut të Kancerit të Qafës së Mitrës në Komunën e Prizrenit, program ky që po bëhet i mundur si rrjedhojë e suksesit të programit në Prishtinë.

Ngjarja sot u realizua me qëllim të prezantimit të programit mbi skriningun e kancerit të qafës së mitrës në Prizren, që është pjesë e Programit Nacional për Kontrollin e Kancerit në Kosovë. Ky program është njëkohësisht hapi i radhës drejt zgjerimit të programit të skriningut në nivel nacional.

Ky program do të mundësojë ofrimin e Pap testit për rreth 400 gra nga Komuna e Prizrenit, gjatë fazës së parë të implementimit, gjegjësisht në vitin 2018. Po ashtu, do të ndërtohen kapacitetet për skrining brenda Kujdesit Parësor Shëndetësor (KPSH) në Prizren, si dhe do të ndërtohet algoritmi procedural që rregullon sistemin e bashkëpunimit në mes të KPSH dhe Kujdesit Dytësor Shëndetësor- Laboratorit të Patologjisë.

Përpos ofrimit të këtij shërbimi të ri në kuadër të kujdesit parësor, palët synojnë po ashtu që të iniciojnë diskutime në mes të institucioneve dhe grupeve të interesit me qëllim të hartimit dhe implementimit të politikave shëndetësore që ndërtojnë një sistem cilësor të skriningut të kancerit të qafës së mitrës si e drejtë shëndetësore, e paraparë me Ligjin për Shëndet Riprodhues, si dhe e planifikuar në Programin Nacional për Kontrollin e Kancerit.

Ky program, përmes Pap testeve për gratë dhe vajzat nga Komuna e Prizrenit do të mundësoj zbulimin e hershëm të qelizave jonormale të qafës së mitrës dhe trajtimin e tyre me sukses për të parandaluar kancerin e qafës së mitrës.

Dr. Visare Mujko Nimani tregoi mbi punën e suksesshme të këtij programi në Prishtinë dhe se tani mundësia e Pap-testeve pa pagese do t’iu mundësohet edhe grave dhe vajzave të Komunës së Prizrenit. Ajo po ashtu theksoi dhe falënderoi edhe Bordin Nacional për Kontrollin e Kancerit në Ministrinë e Shëndetësisë për përkrahjen e vazhdueshme në zgjerimin e programit të skriningut./koha.net/

Gjatë takimit, Mytaher Haskuka, Kryetari i Komunës së Prizrenit, u shpreh: “Jemi të kënaqur qe po e lansojmë këtë projekt në Prizren dhe do ta ketë mbështetjen e plotë të Komunës”.

“Ne jemi të lumtur që ka filluar të ndërtohet një sistemi cilësor i skriningut të kancerit të qafës së mitrës duke filluar me Komunën e Prishtinës dhe tani edhe në Komunën e Prizrenit. Ne si organizatë jemi të përkushtuar ndaj ofrimit të ndihmës sonë për shpëtimin e jetëve të nënave dhe do vazhdojmë të punojmë në implementimin e suksesshëm të këtij programi nëpër Kosovë”, tha për fund Dafina Krasniqi, Koordinatore e Programeve në Aksionin për Nëna dhe Fëmijë

Ky projekt është rezultat i bashkëpunimit në mes të Drejtoratit Komunal për Shëndetësi të Komunës së Prizrenit, Bordit Nacional për Kontrollin e Kancerit- Ministria e Shëndetësisë, Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prizren, Spitalit të Përgjithshëm në Prizren dhe Aksionit për Nëna dhe Fëmijë dhe mbështetet nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara UNFPA, zyra në Kosovë.

 

Asnjë koment

Comments are closed.