24-04-2024

Drejtuesit e “ABI Çarshia” thonë se rrënimi nga komuna nuk do ta pengojë projektin për kompleksin

Drejtuesit e kompanisë  “ABI Çarshia” në Prizren kanë njoftuar  se rrënimi i një pjese të objektit nga ana e komunës në këtë kompleks, nuk do të reflektohet në punën për finalizimin e punimeve rreth projektit, derisa bëjnë të ditur  aprovimin nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të ankesës së tyre kundër Drejtorisë së Inspektorateve  në Prizren, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.

Një ditë më parë Drejtoria e Inspektorateve në Prizren, nisi ekzekutimin e vendimit për rrënim e një pjese të projektit në rrugën “Tirana”, për tejkalim të lejes ndërtimore,  në një aks ku parashihet ndërtimi i rrugës publike.

Përmes një kumtese, kompania “ABI Çarshia”, sot informon opinionin publik për aprovimin e ankesës së saj nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, përcjell “GazetaePrizrenit.net”.

“Në bazë të ankesës së drejtorisë së ABI Çarshia ushtruar kundër Aktvendimit nr. 17-354-38-56-2 të Drejtorisë së Inspektorateve-Inspektorati Komunal i Ndërtimtarisë, Komuna e Prizrenit, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka shpallur VENDIM në të cilin aprovohet ankesa e ABI Çarshia si e bazuar dhe anulohet Aktvendimit nr. 17-354-38-56-2 datë 31.07.2018 i Drejtorisë së Inspektorateve.”, thuhet në kumtesë.

Drejtoria e kompanisë thotë se është e vendosur dhe përkushtuar që “ABI Çarshia” të realizohet dhe të fillojë me punë në afat sa më të shkurtër kohor, pa u ndikuar nga çështjet e hapura me Komunën e Prizrenit, të cilat do të zgjidhen konform të gjitha mekanizmave ligjor.

“Ky veprim nuk do të reflektohet në punën dhe planin tonë operativ për përfundimin e punimeve në pjesën tjetër të projektit ku janë planifikuar lokalet dhe pjesa më e madhe funksionale e ABI Çarshisë”, thuhet me tej.

Në njoftimin e komunës, një ditë më parë thuhej se rrënimi kishte nisur pasi inspektorët komunal kanë kërkuar nga investitori që t’i ndalë punimet duke ia ofruar mundësinë për revidimin e lejes ekzistuese, por përkundër kësaj mundësie punët kanë vazhduar në mënyrë të kundërligjshme, gjë për të cilën edhe është gjobitur tri herë nga ana e Inspektoratit.

Në anën tjetër, pronari i kompanisë “Abi” Irfan Fusha, një veprim të tillë e ndërlidhi si formë e hakmarrjes ndaj angazhimit të tij politik, duke kujtuar se në Prizren janë mbi 11 mijë objekte të tjera pa leje, madje edhe në qendër të qytetit.

Ai ka qenë kandidat i PDK-së për deputet, ndërsa në zgjedhjet e fundit lokale, Fusha ka qenë kandidat për Asamblenë Komunale.

Sipas projektit  tek “ABI Çarshia” parashihet një numër i dyqaneve dhe punësimi i rreth 1.200 punëtorëve, ndërsa janë të angazhuara rreth 80 kompani të jashtme. /GazetaePrizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.