26-04-2024

Mjeku nga Malisheva mohon se u ka përshkruar pacientëve barna që furnizoheshin nga kompania ku punonte djali i tij

Mjeku familjar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) “Shpëtim Robaj”, në Malishevë, Ramadan Sopaj, është deklaruar i pafajshëm për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për konflikt të interesit.

Ai akuzohet se prej 25 gushtit të vitit 2017 e deri më 2 prill të vitit 2018, u ka përshkruar terapi pacientëve me barnat që e ka furnizuar barnatoren në Malishevë djali i tij, Shpend Sopaj, i cili punonte në depon farmaceutike “EP-DEA”, Prishtinë.

Në seancën fillestare të mbajtur të martën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, pasi kryeprokurori Ali Selimaj, ka lexuar aktakuzën, i akuzuari Sopaj ka thënë se nuk e ndien veten fajtor për asnjërën nga dy veprat me të cilat ngarkohet.

Pasi që i akuzuari Sopaj nuk ka pranuar fajësinë, gjykatësi i rastit Nikollë Komani, seancën e radhës e ka caktuar më 2 tetor 2018 në ora 10:00.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, aktakuzën ndaj mjekut Ramadan Sopaj e ka ngritur më 24 korrik të vitit 2018.

Sipas aktakuzës, Ramadan Sopaj, akuzohet se më 25 tetor 2017 e deri më 02 prill 2018, në cilësinë e personit zyrtar, mjek familjar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) “Shpejtim Robaj”, në Malishevë, ka keqpërdorë detyrën e tij zyrtare duke tejkaluar kompetencat e tij zyrtare me qëllim që të sjell dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme për veti dhe për të tjerët – fëmijëve të tij Shpend dhe Qëndrim Sopaj, si dhe të shkaktojë dëm të tjerëve, duke shkelur nenin 26 par.1 të Ligjit për Shëndetësi, të sektorit farmaceutik.

Sipas aktakuzës, ai akuzohet se 2957 pacientëve (me emra të mbrojtur), u kishte përshkruar terapi me sirupa “dea herbal”, “fero force” dhe “deasan” me ampulat “eselan”, “neo endosix”, “nipogalin”, duke mos përshtatur as tabletat me emrat “fero force” dhe “neo endosix”, të cilat sirupa dhe ampula i furnizonte djali i tij, Shpend Sopaj, i cili punonte ne depo farmaceutike EP-DEA në Prishtinë.

Më këtë, ai akuzohet se ka kryer veprat penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe veprën penale “ konflikt interesi”./betimiperdrejtesi/

Asnjë koment

Comments are closed.