02-12-2024

Drini i Bardhë vazhdon të helmojë lopët e fermerëve prizrenas

Haxhi Saramati, nga fshati Dobrushtë e Prizrenit dyshon që lopët e tij janë helmuar nga uji i lumit “Drini i Bardh”, në Prizren. Për këtë ka kërkuar kompensim nga Komuna e Prizrenit.

Përderisa sipas kryetarit të Federatës së Peshkatarëve në Komunën e Prizrenit, Bashkim Krasniqi, kjo nuk është hera e parë që ndotet uji në këtë lumë, por asnjëherë nuk ka ndodhur si tash.

Sipas tij, para disa ditëve kanë ngordhur shumë peshq, por edhe disa lopë të tjera, e për këtë, faj kanë bizneset private, pasi hedhin në lumë kimikate të dëmshme.

Ai ka shtuar se ka dërguar edhe dëshmitë në polici, që shpreson se kësaj radhe organet e drejtësisë të merren më seriozisht me rastin.

Por këtë e kanë mohuar zyrtarët komunal.

Drejtori i Inspektoratit, Islam Thaqi, ka thënë se rënia e nivelit të ujit në lumë ka bërë që të vërehet më shumë prezenca e ujërave të zeza në lumë.

“Kolektori i cili bën pastrimin e ujërave të zeza ende nuk është funksionalizuar në Komunën e Prizrenit, andaj ujërat e zeza derdhen në lumë. Megjithatë, ndotje në këtë masë nuk ka pasur asnjëherë”, ka thënë Thaçi

Përndryshe, Thaçi ka shtuar se nëse vërtetohet se lopët kanë ngordhur nga ndotja e ujit, komuna do të bëjë kompensim të këtij dëmi.

Asnjë koment

Comments are closed.