Edhe Bashkimi e Ponte Prizreni kanë vendosur të lirojnë basketbollistët e huaj

Ponte Prizreni të hënën ka njoftuar në rrjetet sociale se ka liruar pesë basketbollistët amerikanë dhe ka bërë kërkesë nga Federata e Basketbollit të Kosovës që të vazhdohet kampionati.

“Pas situatës jo të mirë në vendin tonë me paraqitjen e COVID-19, skuadra jonë ka liruar pesë amerikanës pasi që jeta e shëndeti është mbi sportin dhe ata lojtarë në këto momente duhet të jenë pranë familjarëve. Klubi jonë po ashtu sugjeron krerët e FBK-së që të vazhdohet kampionati, pasi do të ishte mëkat nëse ndodh e kundërta. Pa prezencë publiku, para dhe pas përfundimit të ndeshjes të bëhet kontrollimi i lojtarëve nga mjekët dhe dezinfektimi i gjitha palestrave që operojnë në Kosovë. Në këtë mënyrë nuk ka ndonjë rrezik. Në shtetin fqinj Serbi, numri i të infektuarve ka kaluar shifrën e 35 dhe liga e basketbollit po vazhdon atje”, është thënë në komunikatë të Pontes. “Mos të hidhen në baltë investimet e klubeve, pasi është një goditje për sponsorët e klubeve pa të cilët nuk do të ishin këtu. Ne qëndrojmë pro vazhdimit të kampionatit, por pa cenuar shëndetin e sportistëve dhe njerëzve rreth klubit. Skuadra jonë do të vazhdojë ndeshjet me lojtarë vendorë”.

Po ashtu të dielën mbrëma Bashkimi ka liruar katër basketbollistët amerikanë, ndërsa po ashtu ashtu vendim për të larguar basketbollistët e huaj mori edhe Rahoveci, si dhe klubi i Bashkimit në konkurrencë të femrave. Po ashtu nga Feronikeli është larguar Tavarion Nix. E edhe Vëllaznimi, që garon në kategorinë e dytë, ka larguar basketbollistin amerikan Terrick Phillips.

Nga Federata e Basketbollit të Kosovës është njoftuar se së shpejti pritet të merret vendim nëse do të vazhdohen garat apo jo. Kampionatet në disa vende të Evropës, si Lituani e Belgjikë janë mbyllur parakohe, ndërsa po ashtu edhe FIBA Europe ka vendosur të mos vazhdojë tri gara të saj, dy në konkurrencë të femrave dhe FIBA Europe Cup në konkurrencë të meshkujve.