13-12-2024

Ekspertizë komunikacioni në rastin ku paditësit kërkojnë dëmshpërblim për aksidentin me fatalitet në Malishevë

Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, ka caktuar ekspertizë të komunikacionit, në rastin ku paditësit, Razë Dobruna, E.D, L.D, J.D, dhe E.D, po kërkojnë kompensim dëmi, për aksidentin ku kishin humbur jetën familjarët e tyre N.D, dhe F.D.

Në padi thuhet se ky aksident me fatalitet kishte ndodhur në mars të vitit 2016, në rrugën ndërmjet fshatit Kijevë dhe Mleqan të Malishevës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për të kërkuar kompensim dëmi lidhur me pasojat e këtij aksidenti, ata e kanë paditur kompaninë e sigurimeve “Sigkos”, si dhe Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS).

Caktimi i ekspertizës së komunikacionit është bërë në seancën e së premtes, pas propozimit të të autorizuarit për paditësve, avokatit Xhevdet Krasniqi, e të cilin propozim më pas e ka aprovuar gjykatësi Haki Kryeziu.

Avokati Krasniqi ka thënë se një pjesë të përgjegjësisë në aksidentit, sipas raportit policor e ka edhe shoferi i automjetit, tani i ndjeri N.D, andaj ka kërkuar që gjykata të caktojë një ekspert të komunikacionit.

“Për të konstatuar gjendjen faktike të aksidentit është e domosdoshme që në këtë çështje të nxirret provë me ekspertizë të komunikacionit”, ka thënë avokati Krasniqi.

Në anën tjetër, i autorizuari i të paditurës së parë, kompanisë së sigurimeve “Sigkos”, Amir Gashi dhe përfaqësuesja e të paditurës së dytë, Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Mimoza Kllokoqi, nuk e kanë kundërshtuar propozimin e përfaqësuesit të paditësve, për nxjerrje të provës me ekspertizë të komunikacionit.

Pas aprovimit të propozimit për caktimin e ekspertizës, gjykata njoftoi palët prezente se seanca e radhës do të mbahet më 5 shtator 2019, në ora 10:00.

Sipas padisë së ushtruar më 10 maj 2016, paditësja Razë Dobruna, e cila është edhe përfaqësuese ligjore e paditësve – të miturve E.D, L.D, J.D dhe E.D, po kërkon nga të paditurat kompania e sigurimeve “Sigkos”, dhe “Eurosig” kompensimin e dëmit për aksident trafiku me fatalitet, ku kanë humbur jetën familjarët e tyre N.D dhe F.D.

Me precizimin e padisë më 27 maj 2019, si e paditur e dytë duhet të jetë Byroja Kosovare e Sigurimeve, dhe jo kompania sigurimeve “Eurosig”, pasi që sipas raportit të policisë, në ditën kur ka ndodhur aksidenti ngasësi i njërës veturë, polisën e sigurimit e kishte me afat të skaduar.

Në padi thuhet se më 28 mars 2016, në mes të fshatit Kijevë dhe Mleqan, në Komunën e Malishevës, është shkaktuar aksident komunikacioni me fatalitet, i cili ka ndodhur nga pakujdesia e dy ngasësve tani të ndjerit N.D, dhe Albert Hoxhaj, të cilët nuk i janë përmbajtur rregullave të komunikacionit.

Gjithnjë sipas padisë, anëtarët e familjes në kuptim të neneve 169, 172, 177, 178, dhe 184 të Ligjit mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve, po kërkojnë nga të paditurat, kompania e sigurimeve “Sigkos”, dhe Byroja Kosovare e Sigurimeve, kompensimin e dëmit material për anëtarët e të ndjerëve N.D dhe F.D.

Sipas padisë, kompensimi i dëmit duhet të bëhet me pagimin e rentës në të holla, shuma  e së cilës caktohet duke marrë parasysh të gjitha rrethanat e rastit, shpenzimet e varrimit, ngritjen e përmendores si dhe kompensimin për dhimbjet e pësuara shpirtërore për vdekjen e të ndjerëve N.D, dhe F.D. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.