Fillon aplikimi i ”Psikoterapisë Online” në Qendrën e shëndetit mendor në Prizren
Për here të parë në Kosovë ka filluara aplikimi i “Psikoterapisë Online” në Qendrën e Shëndetit Mendor në Prizren, sikurse edhe në disa qendra tjera nëpër rajonet kryesore të vendit, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Dr.sci. Naim Fanaj, drejtor i Qendrës për shëndet mendor në Prizren, tha se kjo mundësohet në kuadër të projektit ImpleMentAll që ka marrë fonde nga Programi për Hulumtim dhe Inovacioni Horizon 2020 të Bashkimit Evropian, në kuadrin e marrëveshjes së grantit nr. 733025.
“Projekti realizohet nga Qendra e Shëndetit Mendor në Prizren (institucioni i vetëm përfitues në Kosovë nga ky grant) në bashkëpunim me 11 organizata të tjera anembanë Italisë, Spanjës, Gjermanisë, Francës, Holandës, Danimarkës, Kosovës, Shqipërisë dhe Australisë”, ka thënë ai për portalin “GazetaePrizrenit.net”.
Ky është një lehtësim për pacientët me depression (të rriturit dhe adoleshentët) të cilët kanë nevojë për psikoterapi shtesë, pasi dihet se depresioni, mund të prekë këdo.
Studimet theksojnë se depresioni i butë nuk është një çrregullim i butë. Ai rrezikon që të përkeqësohet dhe mund të lidhet me përjetimin e vuajtjeve të thella, rrezikun për vetëvrasje dhe reduktimin e jetëgjatësisë. Gjithashtu, pacientët me depresion të këtillë kanë nevojë për ndihmë mjekësore.
Ky shërbim i ri në vendin tonë shihet si një zhvillim bashkëkohor dhe i dobishëm që do të lehtëson qasjen e personave në nevojë në shërbimet e shëndetit mendor, duke tejkaluar frikën nga stigma për të kërkuar ndihmë psikologjike.
Psikiatrit dhe psikologët në këto qendra do të udhëzojnë njerëzit në nevojë të përdorin këtë lloj psikoterapie. Secili që ka nevojë: pacientët, familjarët e tyre, shokët apo miqtë e tyre, në këtë ueb faqe https://ifightdepression.com/sq/ do të gjejnë informacione shumë shkencore të lidhura me depresionin.
Kjo faqe po ashtu është e dobishme edhe për publikun e gjerë, të rinjtë, profesionistët shëndetësorë, mediet, policët, pjesëtarët e fesë, farmacistët dhe mësuesit. Materialet e dedikuara për këto kategori janë të shkruara me një gjuhë të lehtë dhe të kuptueshme./GazetaePrizrenit.net/