26-11-2024

Prizren: Administrohen disa nga provat e propozuara në gjykimin ndaj të akuzuarit se përfitoi rreth 200 mijë euro

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të mërkurën në gjykimin ndaj të akuzuarit Asdren Mekaj janë administruar disa nga provat të propozuar nga Prokuroria Speciale.

Mekaj akuzohet se i ka sjell vetes dobi të kundërligjshme në vlerë prej rreth 200 mijë euro, pasi sipas Prokurorisë ai ka përdorur kërcënime të rënda, personalisht si dhe përmes personave të tjerë të armatosur që ta detyrojnë të dëmtuarin Pal Gruda që t’i japë të holla të gatshme dhe t’i blejë vetura të shtrenjta sipas kushteve të tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së mërkurës, është bërë shikimi dhe dëgjimi i provave të propozuara nga Prokurorja e Prokurorisë Speciale, Merita Bina Rugova.

 Mbrojtësi i të akuzuarit Mekaj, avokat Besnik Berisha ka propozuar gjykatës që të kujdeset për privatësinë e personave të cilët rezultojnë se bëjnë biseda private në ambiente ku privatësia është e garantuar dhe si provë të administrohen vetëm pjesët që kanë të bëjnë me çështjen.

Sipas tij, relevanca e bisedave të zhvilluara në video-incizim nuk lidhet aspak me objektin e akuzës dhe se pjesa të cilën prokuroria synon ta mbështes akuzës dhe të provoj ndonjë fakt mbi audio incimin apo video incizimin duhet të saktësohet dhe të reduktohen dëmet që i bëhen personave të tjerë.

I akuzuari Mekaj ka thënë se pajtohet me theksimet e mbrojtësit të tij.

Lidhur me këtë, prokurorja Rugova tha se incizimi është bërë në pajtim të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale dhe se ky incizim paraqet në një mënyrë vazhdimin e kryerjes së veprës penale apo tentimi që të arrihet qëllimi i të pandehurit.

Gjithashtu, ajo tha se nuk qëndron as pohimi se cenohet privatësia e ndonjë personi sepse bisedat janë lidhur me tema jo intime dhe jo të natyrës shumë private, por bisedë e cila zhvillohet mes personave të cilët as nuk njihen mire mes veti.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar Pal Gruda, avokat Miftar Qelaj ka mbështetur deklarimin e prokurores Rugova dhe ka shtuar se me rastin e administrimit të CD-së si provë vërtetohet implikimi i shumë personaliteteve dhe shtimi i presionit të dëmtuarit për të paguar të holla kinse në emër të borxhit.

I dëmtuari Pal Gruda është pajtuar me deklarimin e prokurores Rugova dhe avokatit Qelaj.

Tutje, avokati Berisha ka kërkuar që një pjesë e bisedës së CD-së të transkriptohet nga prokuroria në mënyrë që të bëhet identifikimi i personave të cilët e kanë zhvilluar këtë bisedë.

Prokurorja Rugova ka thënë se është e gatshme të bëjë transkiptimin e tërë incizimit dhe se do të bëjë përpjekje që të identifikojnë secilin pjesëmarrës në atë bisedë.

Gjithashtu, është bërë shikimi i imazhit nga CD me numër 5 dhe është bërë dëgjimi i audio-incizimit të datës 11 prill 2015.

Avokati Qelaj, ka thënë se nga dëgjimi i audio-incizimit ka kuptuar se i njëjti është nxjerr nga video-incizimi të cilët janë shikuar në seancë dhe ka propozuar që për këto të deklarohen në seancën e radhës.

Ndërsa, avokati Berisha ka kundërshtuar propozimin e avokatit Qelaj dhe ka thënë se të vetmin propozim që e pranojnë është që të pajisen me CD si kopje, ta dëgjojnë të pavarur secili në zyrën e tyre dhe pastaj të kenë mundësinë të deklarohen rreth tyre.

Kundërshtime lidhur me propozimin e avokatit Berisha, ka paraqitur prokurorja Rugova e cila ka thënë CD duhet të dëgjohet dhe ka shtuar se shqyrtim gjyqësor është zvarritur rreth 4 vjet dhe se  pala e dëmtuar është marr në pyetje në plotë 18 seanca.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës seanca e sotme është ndërprerë, kurse seancat e radhës janë caktuar të mbahen më 30 nëntor dhe 1 dhjetor 2022.

Ndërsa, seanca e datës 22 shtator 2022 është anuluar për shkak të mungesës së kushteve ligjore pasi që Prokuroria Speciale do të bëjë transkiptimin e video incizimeve.

Ndryshe, këtë lëndë e kishte gjykuar gjykatësi Xheladin Osmani, mirëpo me kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Besnik Berisha, gjykatësi Osmani ishte përjashtuar, kurse me vendim të gjykatës lënda i është caktuar gjykatëses Teuta Krusha.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prizren, kundër të pandehurit Asdren Mekaj, për shkak të kryerjes së veprës penale “Detyrimi” nga neni 267, paragrafi 2 lidhur me veprën penale “Shantazhi” nga neni 268, paragrafi 2 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës, (KPPK) të kryera në vazhdim, lidhur me nenin 71 të KPPK.

Sipas aktakuzës, vepra penale është kryer në atë mënyrë që i pandehuri gjatë periudhës kohore, nga viti 2010 deri në fund të vitit 2013, ka përdorur shantazh dhe kërcënime të rënda, personalisht si dhe përmes personave të tjerë të armatosur që ta detyrojnë të dëmtuarin Pal Gruda që t’i japë të holla të gatshme dhe t’i blejë vetura të shtrenjta, sipas kushteve të cilat i pandehuri vet i ka caktuar.

Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës i ka sjellë vetes dobi të kundërligjshme në vlerë prej rreth 200 mijë euro, me të cilat veprime pretendohet se i pandehuri Mekaj ka kryer këto vepra penale.

Megjithatë, për veprën penale Shantazhi” Gjykata Themelore në Prizren, më 31 gusht 2018, kishte marrë aktvendim, me të cilin e ka pushuar procedurën penale lidhur me këtë pikë të aktakuzës, me arsyetimin se prokuroria nuk ka prova të mjaftueshme. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohet të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.