Gjykimi për dallavere me regjistrimin e automjeteve në Prizren, refuzohet kërkesa e zyrtarit të QRA-së
Gjykata Themelore në Prizren e ka refuzuar kërkesën e ish-zyrtarit të Administratës në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve (QRA) në Prizren, Shkodran Baxhaku, i akuzuar për pesë vepra penale, tri ndër të cilat lidhen me korrupsion.
Ai akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, falsifikim të dokumentit zyrtar, manipulim me prova, si dhe veprën penale, cenimi i fshehtësisë së korrespodencës dhe i bazave të të dhënave kompjuterike, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Refuzimi i kërkesës për hudhjen e aktakuzës, është bërë në seancën e së enjtes, pasi paraprakisht mbrojtësi i tij, avokati Skender Morina ka kërkuar që të hudhet aktakuza në këtë rast.
Avokati Morina, ka thënë se e mbështet kërkesën për hudhjen e aktakuzës, ndërsa sa i përket propozimit të provave, ai ka thënë se e rezervojnë të drejtën që dëshmitarët dhe provat t’i paraqesin gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Nga ana tjetër, prokurori i rastit, Mehdi Sefa ka kërkuar që aktakuza të pranohet pasi që ka mbështetje në provat që gjenden në shkresat e lëndës dhe se fajësia e të akuzuarit, sipas tij, do të vërtetohet dhe nga dëshmia e dëshmitarëve gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore.
Gjykatësja Raima Elezi, gjatë seancës së shqyrtimit të dytë, ka marr vendim për hudhjen e kërkesës së paraqitur nga mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Skender Morina, ndërsa seancën e shqyrtimit gjyqësor e ka caktuar më 15 korrik 2019, në ora 09:00.
Prokuroria Themelore në Prizren, më 29 mars 2019, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Shkodran Baxhaku, në cilësinë e personit zyrtar si nëpunës i Administratës në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve (QRA) në Prizren, duke e ngarkuar me pesë vepra penale.
Sipas organit të akuzës, ai akuzohet për dy vepra penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, një vepër penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar, një vepër penale të manipulimit me prova dhe një vepër penale të cenimit të fshehtësisë së korrespodencës dhe bazave të të dhënave kompjuterike të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Në aktakuzë thuhet se, i akuzuari Baxhaku, më 5 shkurt 2018, në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij, duke vepruar në kundërshtim me udhëzimin administrativ Nr.16/2016 të Ministrisë së Punëve të Brendshme për regjistrimin e automjeteve, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për personin tjetër, si dhe me qëllim të shmangies së shqiptimit të gjobës kundërvajtëse, në certifikatën e regjistrimit të automjetit e shënon tekstin si në vijim, ”automjeti posedon xhama të pasmë të errësuar” edhe pse në dokumentet e prodhuesit dhe atë të homologimit nuk është e shkruar një gjë e tillë.
Më këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, sipas pikës së dytë të aktakuzës, ai akuzohet se në periudhën kohore prej 3 nëntor 2016 deri më 18 shkurt 2017, në Prizren, i tejkalon kompetencat duke vepruar në kundërshtim me udhëzimin administrativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme Nr.16/2016 me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete dhe për dy persona tjerë, në atë mënyrë që pa i paguar taksat komunale ka vazhduar regjistrimin e katër automjeteve, me ç’ rast u mundëson personave tjerë përfitim në shumën prej 330 euro.
Më këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Pika e tretë e dispozitivit të aktakuzës, e ngarkon të pandehurin se me nënshkrimin e tij dhe vulën zyrtare, vërteton dokumentin zyrtar me përmbajtje dhe të dhëna të rreme, duke bërë regjistrimin e automjetit për dy vite edhe pse regjistrimi i automjeteve dhe vazhdimi i tyre bëhet vetëm për një vit.
Me këtë, ai akuzohet se ka kryer për veprën penale të falsifikimit të dokumentit, nga neni 434 paragrafit 1. të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, organi i akuzës, e ngarkon atë edhe për veprën penale “manipulimi me prova”, pasi që më 18 korrik 2018, në objektin e QRA në Prizren, ndryshon dhe heq printerin e markës “Epson” me qëllim të pamundësimit të shfrytëzimit të atij sendi si provë në procedurën zyrtare, në atë mënyrë që edhe pse nuk ishte në detyrë gjatë kohës së pauzës, në tavolinën e tij të punës ku ka punuar më herët, e largon printerin e markës “Epson” me qëllim që të fsheh provën se nga ai printer është shtypur dokumenti i regjistrimit të automjetit me përmbajtje “automjeti posedon xhama të pasme të errësuar”.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “manipulimi me prova” nga neni 397 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në pikën e fundit të aktakuzës, i akuzuari Baxhaku, ngarkohet se në periudhën kohore 2017-2018, në objektin e QRA në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar, pa autorizim ndërhynë në baza të të dhënave kompjuterike të personit tjetër, dhe atë drejtorit të Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve, i cili është vërtetuar pas ekzaminimit në telefonin e të akuzuarit.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “cenimi i fshehtësisë së korrespodencës dhe i bazave të të dhënave kompjuterike” nga neni 202 par. 4 lidhur me par. 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi