19-04-2024

Haskuka deklarohet i gatshëm t’i pranojë propozimet e kuvendarëve rreth pandemisë

Kuvendi Komunal i Prizrenit, sot ka mbajtur mbledhjen e jashtëzakonshme lidhur me situatën e krijuar nga pandemia COVID-19, masat e ndërmarra nga Komuna e Prizrenit dhe shqyrtimin për miratim të propozim-vendimit për bartjen e mjeteve të pashpenzuara nga të hyrat vetanake të vitit 2018 dhe 2019 në vitin 2020.

Mbledhja u mbajt në shtëpinë e kulturës “Xhemajli Berisha” me qëllim të respektimit të masave mbrojtëse ndaj pandemisë dhe mbajtjes së distancës së nevojshme mes kuvendarëve.

Mbledhja filloi me betimin e kuvendares së re të Kuvendit Komunal nga radhët e partisë KDTP, Serdan Kervan, e cila e zëvendësoi kuvendaren e deritashme, Cennet Sayhadi Zuban.

Më pas mbledhja vazhdoi me informatën rreth situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, me ç’rast fjalën e mori kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, i cili njoftoi të pranishmit për veprimet e ndërmarra deri më tani nga ana e Komunës për parandalimin e përhapjes së pandemisë dhe aktivitetet e bëra nga Komuna për lehtësimin e gjendjes ekonomike të qytetarëve.

Kryetari Haskuka fillimisht duke shprehur ngushëllimet e tij për familjarët e pacientes me COVID-19 nga komuna e Prizrenit e cila ndërroi jetë ditë më parë, sqaroi rrjedhën e vendimit për karantinë të fshatit Korishë, gjë për të cilin është dhënë rekomandimi nga ana e Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe për këtë çështje Komuna është e obliguar të veprojë sipas rekomandimeve të Institutit.

Kryetari tha se angazhimi i Komunës lidhur me pandeminë ka filluar që nga data 8 shkurt me angazhimin e ekipeve të Qendrës së Mjekësisë Familjare në kufirin në Vërmicë, për t’i skanuar udhëtarët që vijnë në Kosovë në koordinim me institucionet e nivelit qendror.

Ndërsa pas shpalljes së gjendjes emergjente për shëndetin publik, me datën 11 mars është formuar Shtabi Emergjent Lokal, ku janë përfshirë drejtoritë përgjegjëse nga Komuna dhe institucionet jashtë Komunës si Policia e Kosovës, Spitali Rajonal, FSK-ja, Qendra Rajonale e IKShPK-së, Ekoregjioni, Hidroregjioni dhe KEDS-i.

Ky shtab që nga formimi i tij ka marrë një sërë masash për parandalim të përhapjes së pandemisë si riorganizimi i Kujdesit Parësor Shëndetësor, krijimin e një karantine ditore, ofrimi i shërbimit mjekësor në shtëpi me kërkesë përmes telefonit, reduktimi i stafit komunal dhe ofrimi i shërbimeve administrative online, monitorimi i bizneseve nga ana e Inspektoratit për respektim të masave nga niveli qendror, ofrimi i ndihmës për familjet në nevojë me pako ushqimore, ofrimi i këshillave psikologjike online, dezinfektimi i hapësirave publike dhe jopublike, përgatitja e hapësirës për karantinim në pushimoren në Nashec, analiza për mundësinë e ofrimit të lehtësirave nga aspekti ekonomik për biznese që kanë qenë të mbyllura gjatë kësaj kohe etj.

Pas prezentimit nga ana e kryetari, u ngritën çështje të ndryshme nga kuvendarët lidhur me pandeminë. Në përgjigjen ndaj pyetjeve të shtruara nga kuvendarët, kryetari ritheksoi se është i gatshëm t’i pranojë propozimet e tyre, qoftë për parandalim të përhapjes së pandemisë apo lehtësim të gjendjes ekonomike të qytetarëve. Kryetari Haskuka theksoi gjithashtu se Komuna e Prizrenit ka buxhet të mjaftueshëm për këto çështje nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve, dhe për këtë arsye nuk ka nevojë të bëhet bartja e mjeteve nga kategoria e investimeve kapitale.

Pas mbylljes së diskutimit për pikën e parë të rendit të ditës, mbledhja vazhdoi me pikën e dytë për bartjen e mjeteve të pashpenzuara nga të hyrat vetanake të vitit 2018 dhe 2019 në vitin 2020. Lidhur me këtë fillimisht u bë prezantimi nga drejtori i Drejtorisë për Ekonomi dhe Financa, Furkan Erguler, dhe më pas ky propozim-vendim u miratua duke u votuar unanimisht nga të gjithë 37 kuvendarët e pranishëm.

Asnjë koment

Comments are closed.