Haskuka kritikohet se premtoi ekspertë, ndërsa po “punëson militantë partiak”
Shefi i grupit të asamblistëve të AAK-së në opozitë, Ilir Baldedaj e ka kritikuar kryetarin e Komunës së Prizrenit, që para se të vinte në pushte ka premtuar punësim të profesionistëve, ndërsa sipas tij tashmë po punëson “menaxherë hotelesh e pronar kariqash”.
Një reagim të tillë, Baldedaj e ka bërë pas njoftimit për punësimin edhe të një aktivisti të Vetëvendosjes!, në Zyrën e Kryetarit të Komunës, ndërsa shkrimit të tij ia ka bashkangjitur edhe një foto të aktivistit të VV-së.
Postimi i tij në profilin zyrtar në facebook:
“Qytetarët e Prizrenit i besuan Mytaher Haskukës, në premtimet e tij gjatë fushatës, se do të punësojë ekspertë dhe nuk do të ketë ndikim politik. Përtej secilës fjalë që e ka thënë Mytaher Haskuka po e mbush komunën me militant diletantë.
Premtoi punësim të profesionistëve ndërsa si bashkëpunëtorë profesional punëson menaxherë hotelesh e pronar kafiqash, duke e shndërruar komunën në “klub nate” të militantëve injorantë.
Të punësuarit e Mytaher Haskukës, bashkëpunëtorët profesional, pa asnjë ekspertizë profesionale, në fakt janë “borxhi” që Mytaheri po e paguan për votën e tyre.
Të punësosh ekspertë, qofshin ata edhe të taborit partiak, do të ishte normale në realitetin tonë politikë, por t’i paguash borxhet e fushatës me parat e taksapaguesve, në emër të punësimeve të bashkëpunëtorëve profesional është e papranueshme.
Pa asnjë fije turpi Mytaher Haskuka po e rrënon reputacionin e tij si individ duke u vënë në shërbim të nëntokës, dhe duke u shndërruar në turpin e qytetit të Prizrenit.
Punësimi i militantëve diletantë, në emër të zbulimit “bashkëpunëtorë profesional” është turpi i Mytaher Haskukës që nuk ia lanë as Lumbardhi e as Drini I Bardhë. Mytaher Haskuka, në emër të së shkuarës së tij, duhet të ik një ditë më parë, që ta shpëtojë veten, sepse secilën ditë udhëheqja e tij po shpërfaq kapjen e tij nga “nëntoka”.
Realiteti po e dëshmon se Mytaher Haskuka po shndërrohet në një vegël që po shfrytëzohet për përmbushje të detyrimeve dhe borxheve…”ka shkruar ai.