Haskuka në Skorobisht, takime me shtabin lokal të fshatit të karantinuar

Kreu i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, pasditen e së martës i shoqëruar nga zyrtarë tjerë komunal, ka qëndruar në hyrje të fshatit Skorobisht.

Atje ka takuar përfaqësuesit e shtabit lokal të këtij lokaliteti I cili ndodhet në karantinë pas konfirmimit të 6 rasteve me Covid-19.

Postimi i plotë në faqen e tij zyrtare në facebook:

Ashtu siç patëm takime me shtabin emergjent të Korishës, sot tek postblloku i policisë në fshatin Skorobisht patëm takim edhe me shtabin lokal emergjent të këtij fshati.

Pas informimit për masën e karantinës, ata i njoftuam që sikurse në rastin e Korishës, Komuna e Prizrenit do të angazhohet për kërkesat e tyre, duke ofruar pako ushqimore dhe higjienike për familjet në nevojë, dezinfektim të objekteve dhe pastrim të rrugëve, shërbime primare shëndetësore, barnat esenciale dhe kërkesa të tjera që mund të kenë banorët.

Shtabi emergjent i fshatit na njoftoi që banorët e Skorobishtës janë duke i respektuar masat e karantinës dhe që bashkëpunimi me Policinë e Kosovës është në nivel të duhur.