19-04-2024

Haskuka: Për teleferikun në Kala lejen e bëri dhe e miratoi vetëm një person

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka paralajmëruar kallëzim penal ndaj ish-drejtorit të Urbanizmit kur PDK-ja drejtonte Prizrenin, që vetë kishte bërë kërkesën për teleferik dhe të njëjtën vetë e kishte aprovuar.

Duke mos përmendur emrin e drejtorit, Haskuka ka thënë se projekti aktual i teleferikut për Kalanë e Prizrenit do të anulohet pasi bie ndesh me disa ligje, derisa ka përmendur se bie në kundërshtim me ligjin për trashëgimi kulturore dhe ligjin për ujërat.

“Po mundohem që të mos jetë projekti i mëparshëm. E kemi shikuar dy herë dhe ai projekt është në kundërshtim me ligjin për trashëgimi kulturore, në kundërshtim me ligjin për ujërat. Duhet një teleferik që nuk shihet nga qyteti, por kah pjesa e pasme e Kalasë”, ka thënë Haskuka.

“Problemi tjetër është që duhet të ngrehim kallëzim penal ndaj udhëheqësve të kaluar sepse kërkesat për lejen e teleferikut është bërë nga personi udhëheqës dhe leja është dhënë nga vetë ai. Është dhënë nga drejtori i Urbanizmit. Si projekt ideor shkruan ‘Shkallë lëvizëse për Kala’ ndërsa është teleferik, është një lloj i trenit me hekurudhë”, ka thënë Haskuka.

Duke folur për qeverisjen e tij në Prizren, Haskuka i Vetëvendosjes ka thënë se Komunës po i merr kohë përballja me 3700 padi që janë bërë për probleme të ndryshme pronësore.

“Në një analizë që kemi bërë atëherë dëmi shkon deri në 50 milionë euro. Padia më e madhe ishte 9 milionë euro nga një operator ekonomik. Kemi fituar në rastin e parë dhe rasti është në Gjykatën e Apelit. Komuna nuk është marrë me asnjë rast. Edhe kur ka mundur t’i fitojë nuk ka shkuar, por shumë raste nuk janë përfunduar shkaku i mos mbajtjes së seancave”, ka thënë Haskuka.

“Shumica e rasteve janë për shpronësim për ndërtime të rrugëve. Këto po na i merr energjinë që duhet ta kemi në punë tjera dhe në vend të punëve duhet të merremi me këto raste gjyqësore”, ka thënë ai./koha.net

Asnjë koment

Comments are closed.