20-04-2024

Haskuka thotë se Komuna “është anashkaluar ”gjatë hapjes së zyrave të Ministrisë së Kulturës në Prizren

Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, e ka deklaruar se institucioni që ai drejton është anashkaluar, gjatë ceremonisë për hapjen e zyrave të Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit në Prizren, duke e vlerësuar këtë si shqetësuese, aq më tepër siç ka thënë për shkak të kontributit të Komunës në hapjen e saj, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.

Haskuka dhe as ndonjë zyrtar komunal nuk janë parë sot në drekë në hapjen zyrtare të MKRS-së në Prizren.

Reagimin e tij kryetari prizrenas e ka bërë në profilin e tij të “facebookut”, në të cilin bashkë me një foto, ku shihet vetëm kati i dytë i objektit, ka shkruar:

“Sot në Prizren është bërë hapja e një zyre të Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit, të cilën edhe si kryetar, por edhe si një prizrenas e kam përkrahur dhe kam punuar me përkushtim. I uroj të gjithë për këtë dhe shpresoj që do të finalizohet me sukses. Shqetësuese në ngjarjen e sotme është anashkalimi i Komunës së Prizrenit dhe i kontributit të Komunës për hapjen e kësaj zyre në Prizren. Për më tepër, në disa prononcime nga Ministria, Komuna e Prizrenit është fajësuar për vonesa.

Për hir të opinionit dua të theksoj që hisedarja kryesore e hapjes së një zyre të MKRS-së në Prizren është Komuna e Prizrenit, ngase kësaj Ministrie ia kemi dhuruar dy objekte ku ata janë duke u bartur. Bëhet fjalë për objektin në sheshin Shatërvan, vlera e të cilit është mbi 350, 000 euro dhe për objektin e “internatit” me vlerë rreth 1,000,000 euro, pra në total Komuna e Prizrenit Ministrisë i ka dhënë “donacion” në vlerë prej 1,350,000 euro. Nëse kësaj shume ia shtojmë edhe punën dhe shpenzimet për sistemimin e mbi 20 familjeve (raste sociale), që kanë banuar në “internat”, del që komuna e Prizrenit ka investuar shumë më shumë për këtë projekt.

E gjithë puna në gjetjen e alternativave për familjet sociale është kryer nga Komuna pa ndonjë asistencë nga ministritë. E gjithë puna e transferimit të pronës, nga kërkesa e Ministrisë e deri te aprovimi në Asamblenë Komunale të Prizrenit, është bërë brenda një muaji, prandaj nuk mund të ketë ankesa për vonesa nga ana e Komunës së Prizrenit.

Prandaj, mospërfshirja e Komunës së Prizrenit në këtë hapje, mosfalënderimi ndaj Asamblesë Komunale për dhënien e pronës komunale MKRS-së është edhe mosrespekt ndaj qytetarëve të Prizrenit, në pronat e të cilave do të hapen zyrat e MKRS-së. Pa marrë parasysh të gjitha këto, unë si Kryetar dhe Komuna e Prizrenit, do të vazhdojmë t’i përkrahim gjitha iniciativat që janë në të mirë të Prizrenit dhe të Kosovës” ka shkruar ai./GazetaePrizrenit.net/

Fotografia e Mytaher Haskuka

 

Asnjë koment

Comments are closed.