23-11-2024

Haskukës i kërkohet shkarkimi i tre drejtorëve me aktakuza

Komunikata e plotë:

Kryetari i Komunës së Prizrenit, z.Mytaher Haskuka me 13 shkurt 2020 në një konferencë për media dhe me një postim në faqen e tij në Facebook ka njoftuar opinionin se koalicioni me LDK-në nuk ka kuptim të vazhdohet për shkak të kushtëzimeve dhe njëherësh ka falënderuar drejtorët dhe nënkryetarin nga LDK për bashkëpunimin dhe angazhimin e tyre në arritjen e prioriteteve të qeverisë lokale.

(Postimi i kryetarit mund të lexohet në linkun: https://www.facebook.com/276045686200282/posts/878241262647385/ ).

Në rast të implementimit të këtij qëndrimi të kryetarit nga detyra shkarkohet drejtori i DPMS-së që vjen nga LDK-ja dhe që akuzohet nga Prokuroria se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në një situatë të tillë në detyrë mbeten vetëm dy drejtorët e VV-së me aktakuza të ndara për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

EC përkujton se: Prokuroria Themelore në Prizren me datë 3 dhjetor 2019 ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër tre drejtorëve komunalë dhe dy personave tjerë për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2, pika 2.6 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Me datë 20 dhjetor 2019, Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër një drejtori dhe pesë zyrtarëve të tjerë komunalë, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 2-1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Me datë 14 janar 2020, kryetari i Komunës së Prizrenit, z.Mytaher Haskuka ka njoftuar se drejtori i Gjeodezisë dhe Kadastrit, Refik Shaqiri (njëri prej tre drejtorëve të akuzuar me 3 dhjetor 2019) ka dhënë dorëheqje dhe se do të vazhdojë karrierën e tij në sistemin e shëndetësisë publike.

Duke marrë parasysh mungesën e deritanishme të vullnetit individual të drejtorëve tjerë komunalë të cilët kanë aktakuza për të reflektuar në dhënien e dorëheqjes nga pozita e drejtorit të drejtorisë komunale, EC Ma Ndryshe, përsërit kërkesën drejtuar Kryetarit të Komunës së Prizrenit, z.Mytaher Haskuka për ndërmarrjen e veprimeve konkrete në shkarkimin e vartësve të tij që dyshohen për shkelje të ligjit. EC-i përkujton se premtimet elektorale të z.Haskuka ishin në vendosjen e standardeve për rastet e tilla dhe ruajtjen e kredibilitetit institucional.

Kërkesa për shkarkimin e drejtorëve me aktakuza është adresuar në muajin dhjetor të vitit 2019 nga OJQ-të: EC Ma Ndryshe, Fondacioni për Trashëgimi Kulturore – Legatum, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), IPSIA, THY dhe X40; dhe është përsëritur në muajin janar të vitit 2020 nga EC Ma Ndryshe.

Asnjë koment

Comments are closed.