Hyri ilegalisht në Kosovë, si ra siriani nga ura me lartësi 15 metra?
Një shtetas sirian 23 vjeç ka rënë nga ura në Autostradën ‘’Ibrahim Rugova’’, si pasojë ka marrë lëndime serioze.
Nga kjo urë me lartësi mbi 15 metra, mëngjesin e së hënës dyshohet se ka rënë një shtetas sirian.
23 vjeçari, A.Z, dyshohet se pak para se të arrinte në urën në fshatin Vërmicë, kishte kaluar ilegalisht kufirin për të hyrë në Kosovë.
Rrethanat e rrëzimit të të riut nga ura nuk dihen.
Por i njëjti, pasi ka rënë nga ura ka pësuar lëndime të rënda trupore.
Kështu konfirmojnë në një përgjigje për Televizionin nga Policia Rajonale e Prizrenit.
Siriani, trajtim mjekësor ka pranuar në Spitalin Regjional të Prizrenit.
Drejtori i këtij spitali, Afrim Avdaj, thotë se pacienti është pranuar me shumë lëndime.
23 vjeçari gjatë ndërhyrjes kirurgjike ka pësuar edhe vdekje klinike. Ai pastaj është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
E gjatë së mërkurës, siriani po qëndron për trajtim në Klinikën Intensive të QKUK-së.
Shefi i Klinikës Intensive, Shaqir Uka, thotë se pacienti ka lëndime serioze.
Ndryshe, gjatë vitit 2020 është raportuar për një numër afër 300 të shtetasve sirianë të cilët kanë hyrë në Kosovë në mënyrë ilegale dhe kanë kërkuar azil. /GazetaExpres