24-11-2024

I kërkuar për laboratorin e drogës në Has, shtetasi turk gjendet i vdekur në Prishtinë

Një ndër personat e kërkuar nga drejtësia shqiptare për përfshirjen e tij në laboratorin e drogës në Has, është gjetur i vdekur në një banesë në Prishtinë.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur më 2 dhjetor të vitit 2018, por vetëm këtë të enjte është bërë publike.

Fjala është për 48 vjeçarin me shtetësi turke Nejdet Cesuroglu, i cili ishte shpallur në kërkim nga Krimet e Rënda për akuzën e organizimit dhe ngritjes së laboratorit të drogës në Has.

Në banesën ku turku u gjet i vdekur, policia kosovare ka gjetur edhe një sasi heroine. Dyshohet se ai është vrarë edhe pse nuk janë ende të qarta rrethanat e vdekjes së tij.

Në kërkim është edhe një turk tjetër i identifikuar si Iskënder Sale, 35 vjeç. Në arrati është edhe ideatori i ngritjes së këtij laboratori në Has, biznesmeni Admir Hoxha.

DOSJA E LABORATORIT TE DROGES NE HAS

Gjatë operacionit “Vol-Vo 4”, gjatë të cilit u goditën 4 grupe kriminale me 27 të arrestuar, u shpallën në kërkim edhe 17 persona, 4 prej të cilëve vetëm për laboratorin e heroinës që u zbulua në Brenog të Hasit. Në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda renditen të gjitha veprimet hetimore, përgjime telefonike e ambientale, gjatë të cilave dalin në skenë emrat e të gjithë personave të përfshirë në organizimin e laboratorit të drogës.
Sipas veprimeve hetimore, ideatori i ndërtimit të një objekti të tillë për përpunimin, jo vetëm të heroinës, por edhe të kokainës, është një biznesmen nga Tirana, pronar i një hoteli në afërsi të Aeroportit të Rinasit.

Nga të dhënat e siguruara nga dosja e Prokurorisë, biznesmeni Admir Hoxha është njeriu që ka udhëhequr ngritjen e këtij laboratori në bashkëpunim me disa anëtarë të arrestuar të grupit kriminal nga Shijaku. Sipas Prokurorisë, Admir Hoxha ka mbajtur kontakte me shtetasit Hekuran Hoxha dhe Saimir Gjepali nga Shijaku, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.

Sipas dosjes së Prokurorisë, dy nga anëtarët e grupit të Shijakut, Saimir Gjepali dhe shtetasi Hekuran Hoxha, i cili ka qenë i dënuar më parë në Turqi si i akuzuar për trafik heroine, ka pasur komunikime me biznesmenin nga Tirana për laboratorin e drogës në Has.

Prokuroria ka dokumentuar një takim mes Admir Hoxhës me dy shtetasit turq, Nedjet Cesuroglu allias Lavdërim Limani dhe Iskender Sale në hotelin e tij në Rinas, si dhe me shtetasin nga Kosova, Xhemal Shala. Këta dy persona nga Turqia, sipas Prokurorisë, kanë sjellë lëndën e parë për ta kthyer në heroinë./GazetaExpress

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.