08-08-2022

Iniciohet rast rreth dyshimeve për dallavere në tenderin për uniforma të policisë dhe shitje të barnave pa banderola

Policia e Kosovës (PK) njofton se janë iniciuar dy raste për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik dhe si për shitje të barnave pa banderola.

Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi nga policia, ku thuhet se këto raste u trajtuan nga hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK).

“Rasti i parë: Pas tenderit të hapur nga policia për furnizim me uniforma të policisë, ku kishin aplikuar disa operator ekonomik. Hetuesit policorë nga DHKEK-u, nën dyshim për përfshirje në veprën penale ‘keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’, kanë filluar hetimin që ka zgjatur afro dy muaj. Bazuar në hetimet e kryera, gjegjësisht në të gjeturat gjatë hetimit, ka ardhur deri te dyshimi se tre operator ekonomik kanë kryer veprën e lartcekur”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se rasti karshi veprës penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” është iniciuar, janë siguruar dëshmi që së bashku me kallëzimin penal do të dërgohen në prokurori.

“Rasti i dytë: Hetuesit policorë nga DHKEK-u, kanë pranuar një informatë se në një barnatore në Prishtinë shiten barna pa banderola të Republikës së Kosovës. Policia në bashkëpunim me Inspektoratin Farmaceutik kanë kryer kontroll në këtë barnatore”, thuhet tutje.

Sipas policisë, pronari i barnatores është shoqëruar në polici dhe i njëjti është intervistuar.

“Rasti i iniciuar është trajtuar në koordinim me prokuroren kujdestare dhe me aktvendim nga ana e saj rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt”, thuhet në fund të njoftimit. /BD

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.