03-05-2024

Ja sa lëndë janë transferuar në Gjykatën Komerciale, që fillon punën nga 1 gushti

Sipas listës përfundimtare të lëndëve të cilat do të kalojnë në Gjykatën Komerciale të dërguar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës nga kryetari i kësaj gjykate, Mahir Tutuli, mbi 8 mijë lëndë janë transferuar në këtë gjykatë.

Miratimi i kësaj liste përfundimtare u bë në mbledhjen e 192-të të KGJK-së, të mbajtur të enjten, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas kësaj liste 6574 lëndë gjyqësore janë transferuar në Dhomën e Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale dhe 1342 lëndë janë transferuar në Dhomën e Shkallës së Dytë të kësaj gjykate.

Sipas, kryesuesit të KGJK-së, Albert Zogaj kjo gjykatë do të fillojë punën nga 1 gushti 2022.

Në këtë takim, është miratuar edhe Plani i punës për vitin 2022 i kësaj gjykate dhe gjithashtu Ismet Musliu është zgjedhur ushtrues i detyrës së administratorit deri në një vendim tjetër të Këshillit.

Këshilli ka aprovuar edhe kërkesën e Lindita Jakupit, gjyqtare në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për pushim pa pagesë në kohëzgjatje prej 1 viti.

Takimi ka vazhduar me dyer të mbyllura ku si pika të mbyllura të rendit të ditës janë paraparë të diskutohen shqyrtimi i mandatit të Drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës si dhe shqyrtimi i ankesës AD/KGJK/02/2022, të ushtruar ndaj vendimit të autoritetit kompetent AD/GJTHPR/26/22, të datës 04.07.2022 dhe vazhdimi i shqyrtimit të raportit për lëndën disiplinore Nr.AD/KGJK/04/2022/GJTHPRADGJTHPR/46/21. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.