05-05-2024

Kali në traditën shqiptare

Besimet dhe besëtytnitë e popullit shqiptar për kalin janë të shumta. Ato nuk janë formuar në një periudhë të shkurtër kohore, por datojnë që shekuj më parë. Duke qenë se kali është konsideruar bashkëluftëtar besnik i njeriut, nga e kaluara e popullit janë ruajtur shumë legjenda e besime për të.

Etnologu Nexhat Çoçaj pos që i ka dëgjuar rrëfimet e kësaj natyre për kalin, përgjatë dekadave ka qenë edhe dëshmitar i ndodhive ku është shquar veçantia e kësaj kafshe në raport me njeriun. Këto ndodhi e kanë nxitur që të hulumtojë dhe dokumentojë rolin e kalit në traditën shqiptare, që ka rezultuar edhe me botimin e librit në tri vëllime për këtë temë, shkruan Koha Ditore.

Ideja nga lufta

“Kali është bashkudhëtari i historisë së shqiptarëve. Edhe liria e popullit tonë ka kaluar mbi kurrizin e kalit”, thotë Çoçaj, duke shtuar se në studimin e tij është përpjekur që të pasqyrojë gjetjet në terren të nxjerra nga goja e popullit.

Pohon se ideja për hulumtimin e kalit ka lindur në ditët e luftës.

“Më datë 25 maj 1999 shumë luftëtarë të UÇK-së u plagosën dhe në mesin e tyre 2 konsideroheshin të vdekur. Meqë ishte pasdite dhe unë isha anëtar i komisionit për varrimin e ushtarëve të vdekur dhe zëdhënës i Brigadës 126, e lamë të varrosen ditën e nesërme. Të nesërmen, duke hapur varrin, kalon aty afër një plak me një kalë, i cili dëshiron të respektojë të vdekurit, dhe papritmas thotë se ky nuk ka vdekur. Thotë hiqeni samarin e kalit, zhvisheni ushtarin, vendoseni në kalë, nëse kali ecën ai është gjallë, nëse nuk ecën ushtari është i vdekur”, rrëfen Çoçaj. Sipas tij, tjetër moment ka qenë gjatë operacionit “Shigjeta”, kur me parashuta zbritnin oficerët e NATO-s në Malet e Pashtrikut. “Ishte një gjeneral nga Anglia që kishte rënë në një zonë mes forcave serbe e UÇK-së. Ai nuk mund të vinte te forcat e UÇK-së, sepse në atë terren kishte mina. Në këtë moment del një bari dhe shkon e merr me kalë. Kali kishte aftësi të mos binte në mina”, tregon Çoçaj.

Ai shton se nxitje tjetër për hulumtim ka qenë edhe fakti se gjatë bartjes së armatimit për nevojat e UÇK-së në vitet 1998-1999, nga Shqipëria vinin në Kosovë deri në 60-70 kuaj, ku ngarkesat zbrazeshin në Damjan, Planejë, etj., dhe pastaj pa asnjë njeri kuajt ktheheshin vetë në Shqipëri.“Gjatë gjithë kohës sa janë bartur armët asnjë kalë nuk ka rënë në mina”… (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)

Asnjë koment

Comments are closed.