12-10-2024

Katër femra që kërkojnë ndihmë në Prizren, akuzohen për mashtrim

Nuk janë të rralla rastet, kur sapo mbërrin në qendër të Prizrenit, në ‘shatërvan’, pos lypsarëve të mitur,  të ofrohen edhe persona të tjerë të rinj,  kryesisht femra, me refrenin tashmë të njohur “A ban një minutë”.

 

Pas  kësaj ato të sqarojnë për aksione humanitare  e  duke mbajtur arka të vogla në duar,  të kërkojnë përkrahje në para.  Por, veprime të tilla në disa raste kanë dalë të kundërligjshme, për shkak se jo vetëm që ky nuk është imazh i mirë për vizitorët, e sidomos për ata të huaj që qëndrojnë në Prizren, por edhe siç thuhet kjo formë sjell bezdisjen e qytetarëve.

 

Për këtë policia ka paraqitur në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, katër femra  lëmoshëkërkuese në emër të organizatave humanitare.

 

Major, Haris Dida, komandant i stacionit policor jug (ish stacioni i vjetër ) në Prizren, tha se bëhet fjalë për dy raste të veçanta, në të cilat policia ka hasur në persona të cilët nuk kanë të drejtë të kërkojnë lëmoshë në këtë formë, duke bezdisur qytetarët.

 

“Femrat e dyshuara janë shtetase kosovare, ndërsa në bazë në Prokurorit rastet janë hapur si mashtrim”, tha ai, pa treguar për emrin e shoqatave humanitare.

 

Rastet e kësaj forme të kërkimit të ndihmës për siç thuhet persona të sëmurë shihen jo vetëm në qendër të Prizrenit, por edhe nëpër oborret e qendrave tregtare. Në fokus të tyre janë klientët, që shpesh sapo dalin nga vetura përballen me grupe vajzash të reja, të cilat ua ofrojnë arkat për ndihmë.

Ditë më parë ndërkaq, u zbulua se një organizatë në Kosovë po kërkonte para, kinse për një vajzë të sëmurë nga Ferizaj, ndërsa në fotografi  për “vajzën e sëmurë” kishin ekspozuar një pornostare të njohur. Kjo nuk ka mbetur pa u vënë re nga një përdorues i Facebookut, që në profilin e tij ka postuar këtë fotografi, duke bërë thirrje që mos t’u jepet para këtyre organizatave.

Pos, këtyre rasteve, në qendër të Prizrenit gjithashtu operon një numër tjetër  i lëmoshëkërkuesve.  Dida ka thënë se në disa aksione ata janë larguar, e disa janë deportuar edhe në Shqipëri,  por që pas 3-4 dite ata janë rikthyer përsëri në “vendin e punës”. /gazetaeprizrenit.net/

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.