27-04-2024

Kjo është lista e 13 të arrestuarve, në aksionin për fajde dhe bixhoz të paligjshëm në rajonin e Prizrenit

Policia Kosovës në bashkëpunim me Inspektoratin Policor, mbrëmjen e kaluar ka ndërmarrë një mega-aksion të gjerë i cili rezultoi me arrestimin e 13 personave të dyshuar për fajde dhe bixhoz të paligjshëm në rajonin e Prizrenit dhe Prishtinës. Në mesin e të dyshuarve është edhe zyrtari policor, Luan Bytyqi, i cili ka rënë në prangat e IPK-së.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht emrat e 13 personat që përfunduan në ndalim policor sit ë dyshuar për vepra penale të “Fajdes”, Detyrimit” dhe “Organizimi i Skemave Piramidale dhe Bixhozit të Paligjshëm”.

Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe brenda afatit ligjor pritet që të parashtrohet kërkesa për caktimin e masës së sigurisë në Gjykatën kompetente.

Sipas policis, operacioni i lartcekur ka për qëllim zbatimin e Urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prizren për arrestimin e personave të dyshuar (përfshirë edhe një zyrtar policor) dhe kontrollin e disa lokacioneve (Prizren, Prishtinë, Malishevë, Suharekë)

Po ashtu gjatë aksionit janë gjetur dhe sekuestruar rreth 60 mijë euro para të gatshme, municion, armë zjarri, pajisje elektronike, vetura dhe cigare.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda strukturave të sigurisë në vend, kanë bërë me dije se mobilizimi për aksionin e djeshëm ka ardhur si rezultat i një pune të gjatë hetimore të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, nën menaxhim të Prokurorisë Themelore në Prizren, e të asistuar edhe nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe Policia e Kosovës, e cila ka shpërfaqur se regjioni i Prizrenit është përdorur si fole për aktivitetin e fajdes dhe organizimin e lojërave të fatit në mënyrë të kundërligjshme.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Asnjë koment

Comments are closed.