12-12-2024

Komuna e Prizrenit lëshon lokalet me qira për 1 euro në muaj

Komuna e Prizrenit ka lidhur kontratë me partitë politike të Asamblesë Komunale për shfrytëzimin e nëntë lokaleve me qira, ku shuma mujore që partitë obligohen t’i paguajnë komunës është një euro, raporton Insajderi.

Sipas Raportit të Auditorit, Komuna e Prizrenit kishte refuzuar t’i përmbahej ligjit kur kishte lëshuar nëntë lokale me qira për partitë politikë që përfaqësojnë Asamblenë Komunale. Komuna e Prizrenit nuk kishte organizuar ankand publik fare ashtu siç kërkohet me ligj.

“Komuna kishte lidhur kontrata për shfrytëzimin e pronave komunale me çmim 1€ në muaj, për nëntë lokale për partitë politike të cilat përfaqësojnë Asamblenë Komunale. Për këto lokale nuk ishte organizuar ankand publik siç kërkohet me Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale”.

Sipas zyrtareve komunal lokalet ishin dhënë në shfrytëzim në bazë të vendimit të asamblesë komunale të vitit 2005”, thuhet në Raportin e Auditorit.

Po ashtu ky raport ka evidentuar se Komuna e Prizrenit në dy raste ka lëshuar objektet me qira pa kontratë valide.

Sipas zyrtarëve komunal të gjitha procedurat për dy objektet kishin përfunduar po kishte mbetur vetëm nënshkrimi i tyre.

Raporti thekson se qiramarrësit i kanë borxh komunës së Prizrenit shumën prej 182 mijë e 476 euro.

“Në dy raste qiramarrësit e shfrytëzojnë pronën komunale për tregje pa kontratë valide, sepse kontrata ju kishte skaduar qysh në vitin 2013, ndërsa gjatë vitit 2017 nuk janë ngarkuar nga komuna. Sipas zyrtarëve komunal të gjitha procedurat kanë përfunduar dha ka mbetur vetëm nënshkrimi i kontratave”.

“Këta qiramarrës kanë obligime ndaj komunës në vlerë 182,476€, që krahasuar me vitin e kaluar kanë zbritur obligimet e tyre për 103,358€ (obligimet e tyre ndaj komunës në vitin 2016 ishin 285,834€), pas marrëveshjeve të arritura nga komuna dhe qiramarrësit”, thuhet në Raportin e Auditorit./Insajderi.com/

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.