22-11-2024

Komuna e Rahovecit kundërshton projektin e Ministrisë për udhëkryqin afër Xërxës

Projektet e nisura nga Ministria e Infrastrukturës jo çdo herë kryhen pa asnjë pengesë.

Një rrethrrotullim i paraparë të bëhet nga kjo ministri në aksin rrugor në magjistralen Gjakovë – Prizren është bërë çështje diskutimi mes Komunës së Rahovecit dhe Ministrisë së Infrastrukturës, pasi që nga ekspertë të komunës po paralajmërohen aksidente të shumta, për shkak të jostabilitetit të rrugës në Xërxë.

Zyrtarë nga Komuna e Rahovecit thonë se vazhdimin e punimeve me projektin ekzistues e shohin të rrezikshëm, pasi që, sipas tyre, nuk i plotëson standardet e duhura, raporton KTV.

Një tjetër problematikë, që ka bllokuar fillimin e punimeve kohë më parë, është hekurudha që menaxhohet nga TrainKos, pasi që, në projektin ekzistues parashihet të ndërtohet një nënkalim në kundërshtim me kërkesat e TrainKosit.

Nënkalimi do të ndërtohet 3 metra afër hekurudhës, edhe pse distanca minimale duhet të jetë 12 metra nga hekurudha.

Por, Ministria e Infrastrukturës hedh poshtë të gjitha akuzat e komunës së Rahovecit se ka ndonjë gabim në projektin ekzistues, dhe eventualisht do të koordinohen me kompaninë projektuese në rast të ndonjë lëshimi.

Në anën tjetër, projektuesit e këtij projekti thonë se nuk ka lëshime, dhe se Ministria e Infrastrukturës në bashkëpunim me komunën e Rahovecit kishin rënë dakord që të vazhdojnë punimet me projektin ekzistues pa asnjë ndryshim.

KTV-ja ka provuar të flasë me zyrtarë të kompanisë projektuese “Infratec”, por ata nuk kanë pranuar të flasin para kamerës.

Kanë thënë se me projektin e tyre është e pakënaqur vetëm komuna e Rahovecit, por vërejtje nuk ka Ministria e Infrastrukturës.

Asnjë koment

Comments are closed.