03-05-2024

Kongresi Amerikan voton pro ndalimit të TikTok në SHBA

Kongresi Amerikan- Dhoma e Përfaqësuesve miratoi sot (e shtunë) legjislacionin që do të ndalojë zyrtarisht TikTok në Shtetet e Bashkuara.

Sipas ligjit të miratuar, TikTok do të ndalohet të përdoret në SHBA nëse pronari me bazë në Kinë i platformës së njohur të mediave sociale, ByteDance Ltd, nuk i shet aksionet e tij brenda një viti.

Ligji u miratua me 360 vota pro dhe 58 kundër dhe tani kalon për miratim final në Senatin amerikan, raporton noa.al duke cituar AP.

Kompania reagoi duke deklaruar se ligji do të shkojë në gjykatë sepse po kërkohet t’i privohet 170 milionë përdoruesve të aplikacionit në SHBA duke u shkelur të drejtat e tyre të Amendamentit të Parë.

Nisma ligjore erdhi pasi autoritetet në SHBA dhe sidomos zyrtarët e inteligjencës, janë të shqetësuar se autoritetet kineze mund të detyrojnë ByteDance të dorëzojë të dhënat e përdoruesve amerikanë ose ta drejtojë kompaninë të rrisë përmbajtjen e TikTok në favor të interesave të saj.

TikTok ka mohuar pohimet se mund të përdoret si një mjet i qeverisë kineze dhe ka thënë se nuk i ka ndarë të dhënat e përdoruesve të SHBA me autoritetet kineze.

Në vitin 2020, gjykatat federale bllokuan një urdhër ekzekutiv të lëshuar nga Presidenti i atëhershëm, Donald Trump për të ndaluar TikTok. Bllokimi erdhi pasi kompania paditi z.Trump me arsyetimin se urdhri shkelte të drejtat e lirisë së fjalës dhe të procesit të rregullt ligjor./na

Asnjë koment

Comments are closed.