19-04-2024

Koronavirusi: Rikthehen rastet, sot 8 të infektuar në Prizren

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës sapo ka publikuar rezultatet e fundit rreth koronavirusit në Kosovë.

Sot, janë testuar gjithsej 208 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren,  kur me SARS-CoV-2 janë konfirmuar 14 raste.

Për dallim nga tri ditët paraprake, kur nuk ka pasur raste të infektuar, sot janë paraqitur 8 raste, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Prizrenit 8 raste (sipas vendbanimit: 8 raste Prizren) dhe komuna e Rahovecit 6 raste (sipas vendbanimit 6 raste Rahovec).

Sot më 20 maj 2020, janë shëruar 3 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 772 raste.

Nga data 08 shkurt deri më 20 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 12.406 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1.003 raste, me gjithsej 29 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 20 maj 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 5.039.593 raste të COVID-19 dhe 326.903 raste të vdekjes. /GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.