30-11-2020

Koronavirusi, shpërthen humori me Putin pasi ai tha se zbuluan vaksinën

Njoftimi se Rusia e ka gati vaksinën e saj kundër Covid-19, jo vetëm që ka ngritur dyshime ndërkombëtare për sigurinë e saj, por gjithashtu ka shkaktuar rritje të madhe të dezinformatave dhe humorit në platformat e rrjeteve sociale.

Ka pasur ‘meme’ të shumta satirike lidhur me Putin. Disa e tregojnë udhëheqësin rus Vladimir Putin si superhero, si Spiderman apo Ironman që kanë synim shpëtimin e botës.

Në një prej tyre Putin shfaqet mbi një ari me një shiringë gjigante në krah.

Një version i kësaj “meme” madje pretendon, gabimisht, se ajo u shpërnda nga vetë Putin.

Një tjetër postim në Facebook me njoftimin për vaksinën u shpërnda mbi 200.000 herë. Por kjo nuk është llogari zyrtare e presidentit rus, i cili disa herë ka thënë se shmang rrjetet sociale.

Por shumë prej atyre që komentojnë në gjuhë të ndryshme në post, janë të sigurt se njoftimi u shkrua nga vetë Putin.

Një tjetër postim, gjithashtu i rremë, thotë se kjo nuk është hera e parë që Rusia e ka shpëtuar botën.

Postimi krahason satelitin e parë sovjetik i cili “i hapi njerëzimit rrugën drejt hapësirës” me vaksinën ruse e cila “do të hapë rrugën e ardhshme pa Covid-19, pa maska e izolim shoqëror”.

Shkrimi rendit disa vaksina të cilat janë “shpikur’ në Rusi, përfshirë atë për kolerën dhe poliomelitin.

Ishte, në fakt, shkencëtari francez Louis Pasteur që zbuloi vaksinën e parë të kolerës.

Më vonë në 1885, Jaime Ferran, një mjek spanjoll, zhvilloi një vaksinë që imunizoi njerëzit për herë të parë nga kolera.

Një virolog amerikan, Dr Jonas Salk, zhvilloi vaksinën e parë efektive kundër poliomielitit në 1955.

Postimet e tjera janë të përqendruara te vajza e Putin, e cila u tha se kishte marrë këtë vaksinë.

Putin nuk e specifikoi se cilës prej vajzave të tij i ishte dhënë vaksina, por tha se efektet e vetme anësore që ajo përjetoi ishin një temperaturë pak e ngritur për një periudhë të shkurtër.

Një video ka qarkulluar në Indi së bashku me pretendimet që klipi tregon një vajzë të Presidentit Putin që po merr vaksinën.

Por ajo nuk është vajza e Putin./GE

Asnjë koment

Comments are closed.