08-04-2020

Kosovës iu zhdukën 2 mijë e gjysmë tonë grurë nga rezervat shtetërore

Në këtë kohë kur pandemia e koronavirusit po kërcënon seriozisht edhe ekonomitë më të fuqishme botërore, Kosova do të duhej të kishte në rezervat e saj shtetërore së paku më shumë tonë grurë.

Gazeta Sinjali posedon të dhëna se në prill të vitit të kaluar, Kosovës i janë zhdukur 2 mijë e 519 tonë grurë nga rezervat shtetërore.

Shteti kishte vendosur që sasinë e grurit rezervë e cila ishte e deponuar në kompaninë “Universal Food”, ta bartte te “Barileva shpk”, që ishte angazhuar nga ministria për ta mbajtur sasinë e grurit në kuadër të rezervave.

Gjatë bartjes së sasisë prej 4 mijë e 669 tonë grurë nga kompania paraprake në kompaninë e kontraktuar nga MTI-ja, u zhdukën saktësisht 2 mijë e 519 tonë grurë.

Bazuar në çmimin e grurit, i bie që Kosovës i mungojnë rreth 630 mijë euro sasi gruri.

“Universal Food” i kishte bartur te “Barileva shpk” vetëm 2 mijë e 150 tonë grurë, duke mos e dorëzuar më shumë se gjysmën tjetër të sasisë totale, pa ia dhënë asnjë shpjegim ministrisë.

Gazeta Sinjali mëson se një ditë kamionët e “Barileva shpk” ishin detyruar të kthehen bosh, pasi “Universal Food” e kishte ndërprerë punën në gjysmë.

Pas kësaj, zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë kishin mbajtur një takim urgjent me drejtorin e “Universal Food” dhe përfaqësues të “Barileva shpk”, takim pas së cilit drejtori i “Universal Food” ishte ‘zhdukur’.

Sipas evidencave të ministrisë, drejtori i “Universal Food” në takim kishte thënë se ndëprerja e bartjes së grurit ishte bërë për shkak të disa defekteve teknike të deponisë dhe se punimet do të vazhdonin pas dy-tre ditëve.

Palët ishin pajtuar që pak pas takimit, anëtarët e komisionit për pranim-dorëzimin e grurit nga ana e ministrisë të shkonin në “Universal Food” për t’i parë defektet e përmendura dhe se ku po mbahej gruri.

Sidoqoftë, zyrtarët e ministrisë nuk e panë kurrë sasinë prej 2 mijë e 519 tonë grurësh që supozohej të ishte e deponuar në “Universal Food”. Ata kishin mbetur duke e pritur drejtorin para kompanisë, derisa ai nuk u kishte kthyer më as përgjigje.

Për ta parë se a është denoncuar ky rast penalisht në Polici dhe Prokurori dhe se a është kërkuar ndonjëherë kompensimi i kësaj sasie të munguar gruri, Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në Ministrinë e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, nga ku nuk ka marrë përgjigje.

Megjithatë, Gazeta Sinjali ka gjetur se një muaj pas këtij skandali (maj 2019), Ministria e Tregtisë dhe Industrisë i kishte kërkuar Avokaturës Shtetërore që të iniconte padi kundër kompanisë “Universal Food” në lidhje me moskthimin e sasisë së plotë të grurit.

Ndërkohë, kyetari i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, Muhamet Farizi, në një prononcim për Gazetën Sinjali ka thënë se tani Kosova ka filluar të importojë grurë nga Shqipëria.

“Ka nisur të vijë tani grurë nga Shqipëria, sasi e cila mund të rritet në vazhdim”, ka thënë Farizi.

Ai ka thënë se për rreth 6 ditë në Kosovë kanë hyrë 480 tonë miell.

Shoqata e Mullisëve të Kosovës ka pasur një takim me ministren e Ekonomisë, Rozeta Hajdari, në të cilin Farizi thotë se janë informuar nga ajo që nëse vazhdon kjo tendencë e shitjes së madhe të miellit, do të importojnë rreth 10 deri në 15 mijë tonë miell.

Muajt e fundit në Kosovë, përvjeç tjerash, ka pasur kërkesë të madhe të qytetarëve për të blerë miell. Këto kërkesa janë rritur edhe më shumë me t’u konfirmuar rastet e para me koronavirus.

Asnjë koment

Comments are closed.