25-04-2024

Kryetari i ri i Dragashit do të vendoset nga 1,090 votuesit e diasporës

Kandidati i PDK-së pas numërimit të votave të rregullta, atyre me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta, ka avantazhin prej 17 votave.

KQZ është mbledhur pas vendimit të Gjykatës Supreme për të ridërguar në votim diasporën e Komunës së Dragashit.

Sekretari i KQZ-së Burim Ahmetaj ka njoftuar se janë 1,090 aplikues nga Komuna e Dragashit që janë regjistruar suksesshëm për të votuar në zgjedhje.

Ai thotë se për këtë proces votimi do të ketë një dizajn të ri të fletëvotimit.

“KQZ do ta përcaktojë periudhën se kur duhet të dërgohen pakot me fletëvotime nga diaspora dhe koha kur duhet të fillojë numërimi i këtyre votave”.

Ahmetaj ka sjellë para KQZ-së dy rekomandime për periudhën e dërgimit të votave nga diaspora.

“Njëri prej rekomandimeve është që procesi të fillojë më datën 26 nëntor dhe të përfundoj me 10 dhjetor. Rekomandimi i dytë është që votimi të fillojë me 29 nëntor dhe të përfundoj me 13 dhjetor që është edhe data e fundit e pranimit të votave”.

Përfaqësuesi i PDK-së në KQZ ka thënë se duhet të hetohet pse disa votues kanë aplikuar nga shtete tjera e kanë dërguar vota nga shtete tjera perëndimore.

Ai ka kërkuar verifikim më të mirë të votuesve nga diaspora.

Elashani ka thënë se PDK është që procesi i votimit të fillojë nga data 29 nëntor në mënyrë që diaspora të ketë kohën e nevojshme.

Ndërsa Florian Dushi, përfaqësues i LDK-së në KQZ, thotë se 27 nëntori do të ishte datë më ideale për të filluar procesin e votimit nga diaspora.

“Data 26 është e hershme derisa 29 është e vonshme. Prandaj edhe pse nuk preferohet por data 27 do të ishte me ideale në mënyrë që edhe qytetarët nga diaspora të kenë mundësi të votojnë edhe në vikend. Edhe pse nuk është e ndaluar me rregulla të KQZ, do të ishte mirë që qytetarëve tu kërkohet që votat t’i dërgojnë nga qyteti i njëjtë”, deklaroi Dushi.

Përfaqësuesi i LVV-së në KQZ thotë procesi i votimit nga diaspora e Dragashit duhet të vazhdojë me rregullat e vjetra, pasi sipas tij procesi ka filluar dhe tashmë nuk mund të caktohen rregullat e reja.

Kujtojmë se pas numërimit të votave të rregullta, atyre me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta, kandidati i PDK-së Shaban Shabani ka 17 vota më shumë se Bexhet Xheladini i LDK-së.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve nga votat e diasporës Bexhet Xheladini i LDK-së kishte marrë 244 vota, derisa Shaban Shabani i PDK-së 54 vota.

Mirëpo PZAP kishte anuluar votat e diasporës me kërkesë të PDK-së.

Derisa pas ankesës së LDK-së në Gjykatë Supreme, kjo e fundit ka vendosur që diaspora e Dragashit të shkojë në rivotim./Telegrafi/

Asnjë koment

Comments are closed.